Ujësjellës Kanalizime Durrës pritet të nisë një investim të rëndësishëm për disiplinimin e ujërave të zeza në lagjen numër 1 të qytetit, duke shmangur përfundimisht ndotjen e bregdetit përgjatë shëtitores “Taulantia” si dhe përmbytjet që ndodhin në stacionin e trenit dhe tek hyrja numër 2 e portit. Punimet pritet të nisin në muajin shtator të këtij viti dhe projekti ka vlerën e 4.2 milionë euro që jepen në formën e kredisë nga Banka Botërore. Inxhinierja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, Daniela Nano, shprehet se duke qenë se në zonën në fjalë kemi një rrjet kanalizimesh miks, pasi ujërat e zeza dhe të shiut janë në një kanalizim të vetëm, projekti i ri do të mundësojë ndarjen e tyre dhe shmangien e përmbytjeve dhe mbledhjen e ujërave të zeza nga “Aragosta”.
Projekti në fjalë parashikon ndërtimin e një kolektori kryesor me gjatësi 4.2 kilometra si dhe rikonstruksionin e stacioneve të pompimit numër 7 dhe 8. Investimi në fjalë pritet të përmirësojë ndjeshëm situatën e përmbytjeve në raste reshjesh, pasi janë vendosur dy pompa që të largojnë ujërat e shirave, njëra tek stacioni i trenit dhe tek projekti i “Velierës” që këto ujëra të derdhen në det. Inxhinierët e UKD-së shprehen se tashmë me këtë investim përfundimisht nuk ka më ndotje .
Investimi në fjalë është investimi i dytë më i rëndësishëm, që kryen ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, pas atij që po përfundon në zonën e plazhit, nga Ura e Dajlanit deri tek Përroi i Agait.
K.H.