Afro 2000 banorë kanë përfituar nga investimi i ujësjellës kanalizime Durrës në zonën e kodër Vilës dhe lagjen 10. Zona në fjalë është mjaft e populluar me ndërtime të ngritura vitet e fundit, por nuk ka pasur rrjet të kanalizimeve të ujërave të ndotura. Inxhinieri i ujësjellësit Bledar Metalla shprehet se falë një investimi prej 250 milionë lekësh të vjetër, zona në fjalë ka rrjet funksional të ujërave të ndotura të cilat dërgohen me anë të sistemit të pompave në impiantin e Shënavlashit.
Banorët e zonës janë shprehur të kënaqur me investimin pasi infrastruktura rrugore ka qenë mjaft problematike gjatë viteve të fundit.
Projekti i hartuar nga dega teknike e ujësjellësit ka parashikuar shtrimin i rrjetit të ri kryesor të kanalizimit me tubacion të brinjëzuar 315 mm me gjatësi totale 1350 ml. Projekti parashikon edhe ndërtimin e 900 metrave të tjera kanalizime sekondare me tub të brinjëzuar me dimension 250 mm. Firma zbatuese e punimeve ka realizuar edhe ndërtimin e 80 pusetave të kontrollit përgjatë tubacionit kryesor. Investimi në fjalë përmirëson ndjeshëm infrastrukturën e zonës, ndërkohë që disiplinimi i ujërave të zeza ndikon dukshëm në përmirësimin e mjedisit të zonës duke larguar ndotjen dhe erën e keqe.





