Tre pergolat e para të betonit janë vendosur tashmë në pjesën fundore të shëtitores “Taulantia”. Investimi publik që po kryhet pranë Sfinksit parashikon vendosjen e rreth 150 pergolateve përgjatë një gjatësie rreth 200 metra.
Firma kontraktuese e projektit bën të ditur se deri më tani janë realizuar 50% e punimeve, ndërsa i gjithë investimi pritet të përfundojë me nisjen e sezonit turistik.
“Si proces po ecën goxha mirë. Për momentin jemi duke avancuar me plintat e pergolave, kemi kaluar gjysmën e shëtitores që ka gjatësi 200 metra. Mbrojtja që kemi bërë me gurë na ka mbrojtur goxha, sepse muaji shkurt ka qenë goxha i vështirë por momentalisht po avancojmë mirë. Besojmë brenda muajit qershorit duhet ta kemi përfunduar”,– thotë për “DurrësLajm”, Angjelo Tola, inxhinieri i firmës zbatuese të projektit.
Mjetet e rënda u rikthyen në kantierin e ndërtimit në fillim të muajit janar, pas një ndërprerjeje disa mujore.
Punimet qenë parashikuar të zgjasnin 8 muaj, por ky do të jetë një tjetër investim publik që nuk përfundon brenda afateve të përcaktuara.
Në pjesën fundore të shëtitores “Taulantia”, afër Sfinksit, është planifikuar të zbatohet projekti i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Qëllimi i projektit të studios spanjolle, të themeluar nga arkitekti i famshëm Ricardo Bofill, është përmirësimi i aspektit viziv të kësaj hapësire publike.
Në ndërhyrjen që financohet nga BERZH dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit planifikohet, ndër të tjera, ndërtimi i një dallgëthyesi dhe zëvendësimi i bankinës së drunjtë me pergola betoni me lartësi mbi 2 metra.
M.B.





