DURRES, 12 qershor 2013 – Kandidati Eduard Halimi, gjatë një vizite në një prej bizneseve me fason në Durrës, dëgjon shqetësimin e investitorëve të huaj për rritjen e taksave që propozon Partia Socialiste
Shumë thjesht e me pak fjalë, por edhe shumë qartë, biznesmeni italian Xhuzepe Frankone, shprehu mendimin e tij sa i përket programeve të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste përkundrejt biznesit. Duke treguar kah kandidati demokrat Eduard Halimi, Frankone tha: “Pa këta njerëz këtu e pa këtë parti, ne jemi asgjë.”
Kandidati demokrat dhe ministri i drejtësisë Eduard Halimi kishte zgjedhur një fabrikë të prodhimit të këpucëve për eksport për të folur për platformën e Partisë Demokratike, që e sheh zgjerimin dhe zhvillimin e biznesit si rrugën drejt punësimit dhe rritjes së mirëqenies së njerëzve. Eduard Halimi tha se “më 23 qershor, le të votojmë e të zgjedhim të ecim përpara, e jo të kthehemi pas.”
“Programi i Partisë Demokratike dhe i kryeministrit Berisha ka në themel punësimin dhe rritjen e mirëqenies, dhe këto vijnë përmes zgjerimit dhe zhvillimit të biznesit, – tha Eduard Halimi. – Më 23 qershor ne do të zgjedhim se si do të qeverisemi, nëse do të qeverisemi nga kryeministri Berisha, që ka në program nxitjen e mëtejshme të biznesit, apo nga Edi Rama, që kërkon të rrisë taksat e të mbysë biznesin. Ju këtu punoni të gjithë në këtë fabrikë këpucësh, që është e lidhur me investitorë italianë. Por, ky investitor ka zgjedhur të vijë këtu, në Durrës, e jo të shkojë në Kinë apo diku tjetër, pasi taksat janë të ulëta dhe qeveria e kryeministrit Berisha ka ndërmarrë një sërë masash të tjera lehtësuese, siç janë ulja e kontributeve sociale, heqja e tatimit mbi të ardhurat për pagat mujore deri në 30 mijë lekë, heqja e TVSH për importin e makinerive prodhuese, etj. Kuptohet që, nëse taksat këtu do të bëhen siç janë në Itali, ky investitor do të largohet. Ai do të jetë i detyruar të mbyllë fabrikën, ai do të jetë i detyruar të shkurtojë vendet e punës. Ky do të jetë rezultati i asaj që propozon të bëjë Edi Rama, që kërkon të heqë taksën e sheshtë.”
Në këtë pikë, përmes një ndërhyrje të shkurtër, investitori italian Xhuzepe Frankone, i kompanisë Arus shpk, theksoi se ishin pikërisht taksat e ulëta dhe klima e favorshme e biznesit që e solli atë në Durrës. Por, rritja e taksave do të vinte në rrezik qëndrimin e tij dhe të investitorëve të tjerë në Shqipëri.
Duke iu folur hapur punëtorëve, dhe duke treguar kah kandidati demokrat Eduard Halimi, Xhuzepe Frankone tha se “njerëzit që kanë ndërtuar këtë fabrikë, ne të gjithë, kemi nevojë për këta njerëz.” “Pa këta njerëz këtu e pa këtë parti, ne jemi asgjë, – tha ai. – Ne kemi nevojë për këta njerëz që të rrimë këtu.”
Ditët e fundit, kandidati demokrat Eduard Halimi ka zhvilluar disa takime në fabrika të ndryshme, ku ka shpjeguar se si punësimi, ashtu edhe rritja e mirëqenies, do të vijë vetëm për zgjerimit të biznesit, të cilin Partia Demokratike do të vazhdojë ta ndihmojë.





