TIRANE- Ndërtuesit kinezë po i shohin me mjaft interes mundësitë e mira që ofron për investime të paluajtshme Shqipëria, aleati i dikurshëm. Në një opinion të publikuar në gazetën "South China Morning Post", kolumnisti Richard Warren, vëren se Shqipëria, dikur aleati i vetëm i shtetit aziatik, po shfaqet përsëri në radarët ekonomikë të Kinës. "Shqipëria ishte i vetmi aleat evropian i Kinës në vitet '60 dhe në fillim të viteve '70- të.

Shteti i vogël ballkanik, me popullsi 3 milionë banorë, po shfaqet përsëri nëpër radarët ekonomikë dhe politikë kinezë, ndërkohë që biznesi i ndërtimit shpreson se diçka e tillë do t'i prijë një hovi të investimeve kineze në këtë sektor". Sipas analistit, shumë zëra e konsiderojnë Shqipërinë si një pikë shpërndarjeje për tregtinë e kompanive kineze, duke u dhënë atyre mundësinë të vendosin një këmbë në Bashkimin Evropian, në rast se aplikimi i vendit për t'u përfshirë në këtë grupim arrin me sukses. 

INTERESI 

"Interesi zyrtar kinez në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme po rritet. Verën që shkoi, ambasadori kinez në Shqipëri vizitoi Gjirin e Lalzit, ku shoqëria 'Strabag' e specializuar në zhvillimin e pasurive të paluajtshme po ndërton më shumë se 800 shtëpi pushimi", – vazhdon analisti. Ky interes nga ana e zyrtarëve pak nga pak po orientohet nga investimet private.

"Dy apartamente në Gjirin e Lalzit janë blerë nga kompani me bazë në Pekin, po që janë përjashtuar nga vendi, të cilat planifikojnë t'i shesin me përfundimin e fazës së parë të projektit, në vitin 2014. Kompania zhvilluese do t'ia lëshojë ndërtesat e tipit 'kondo' investitorëve kinezë në vitin '13, me çmime që shkojnë në 99 mijë euro për njësitë me pamje nga deti", shkruan analisti. 

NËNSHTETËSIA

Tregu shqiptar, sipas artikullit, bëhet edhe më interesant për investitorët kinezë në çastin që shteti shqiptar i propozon nënshtetësinë çdo qytetari të huaj që investon në vend 100 mijë euro. "Me mjaft interes për disa investitorë kinezë është propozimi i qeverisë shqiptare për dhënien e nënshtetësisë për ata qytetarë të huaj që investojnë të paktën 100 mijë euro në vend", – shkruan autori. Blerja e një shtëpie, sipas tij, do të ishte një mënyrë shumë e thjeshtë për ta fituar nënshtetësinë, kështu që ndërtuesit ndihen mjaft të joshur nga kjo ide.

Më tej, në artikull autori vëren se disa shqiptarë shqetësohen se propozimi për dhënien e nënshtetësisë mund të shfrytëzohet nga elementë të huaj kriminalë që kërkojnë t'u fshihen qeverive të vendeve të tyre, kështu që nuk ka hyrë ende në fuqi. "Gjithsesi, edhe në rast se plani për nënshtetësinë nuk bëhet realitet, është mëse e qartë që tregu shqiptar i pasurive së paluajtshme, ashtu si edhe ekonomia e vendit, po hapet gjithnjë e më shumë ndaj biznesit, dhe Tirana do që investitorët kinezë të luajnë një rol të dorës së parë në të".