Te Venezia nuk i druhen joshjes së stolit të Shqipërisë për Filippo Inzaghin. Është vetë Presidenti i klubit që militon në Serie B sezonin e ardhshëm, Joe Tacopina në një intervistë për mediat italiane e përjashton trajnerin aktual të skuadrës së tij nga lista e kandidaturave për postin vakant të trajnerit të Kombëtares kuqezi nëpërmjet një deklarate ku kursen madje as batutat duke ju përgjigjur në këtë mënyrë pyetjes mbi mundësinë e mbërritjes së Pipo Inzaghit në stolin e Shqipërisë.
“Inzaghi te Shqipëria? Thjesht kam qeshur, aty nuk kanë bresaolan, dicka që për të është një domosdoshmëri, dhe nuk do të mund të shkonte aty. Inzaghi është entuziast për suksesin që po arrin këtë. Natyrisht që kam lexuar për interesimin që ka patur për të, por kurrë nuk jam shqetësuar”.Edhe pse duket vështirë që mungesa e Bresaolas, një lloj sallami karakteristik, të pengojë Inzaghin të vijë te Shqipëria, presidenti i Venezias shfaqet në këtë mënyrë i sigurt mbi vazhdimësinë e trajnerit në detyrën e tij aktuale. Inzagji është përmendur si një ndër kandidaturat me potencial për të marrë drejtimin e Shqipërisë, bashkë me emra të tjerë sugjestionues si Cristian Panucci, apo Clarence Seedorf, De Canio apo edhe Camolese. Federata Shqiptare e Futbollit vijon negociatat për përcaktimin e trajnerit të ri, pasi ka bërë të ditur se emërimi do të bëhet brenda muajit korrik.