Interi triumfoi 0-3 në Napoli dhe rimori kreun e renditjes, teksa trajneri Simone Inzaghi nuk e fshehu kënaqësinë e këtij suksesi, duke zbuluar se përqafoi të gjithë futbollistët pas ndeshjes.

Një fitore bindëse ndaj Napolit

Vuajtëm pak, por është normale, pasi luanim në shtëpinë e kampionëve në fuqi. Patëm edhe fat me traversën e Politanos, ashtu si u anulua goli i Thuram për pak milimetra. Ishte një ndeshje e vështirë dhe ia dolëm të fitojmë bindshëm. Pas ndeshjes përqafova të gjithë futbollistët një nga një sepse e meritonin për atë që dhanë në fushë.

Dy dëmtime, që duket se u prishin disi planet

De Vrij u ndaj shpejt dhe mund të aktivizoja edhe Bisseck, por nuk doja të spostoj Darmian, që po e bënte shumë mirë punën ndaj Kvaratskhelias, ndaj hodha në fushë Carlos Auguston, që kishte shumë kohë që nuk luante në atë rol. Këtë javë presim rikthimin e Bastonit dhe për 10-15 ditë edhe të Pavard. Shpresoj që edhe De Vrij e Dumfries të mos kenë asgjë shqetësuese, pasi kemi nevojë për të gjithë.

Thuram dhe Lautaro si Eto’o dhe Milito…

Njëri është sulmues zone dhe tjetri që lëviz mirë në të gjithë hapësirat. Dy të parët kanë bërë historinë te Interi, ndërsa Lautaro dhe Thuram po bëjnë shumë mirë dhe janë në rrugën e duhur për t’u përmirësuar edhe më shumë. Por të mos harrojmë edhe Arnautovic e Sanchez, që po bëjnë shumë mirë dhe e treguan jo më larg se të mërkurën në Champions.

Tifozët vijojnë të mbështesin skuadrën, pavarësisht nëse luan në shtëpi apo transfertë

I falënderoj shumë dhe më vjen keq që nuk mundem t’i përqafoj edhe ata një nga një, pasi janë të mrekullueshëm. Kanë një pjesë të madhe në rezultatet tona në fushë.