1 qershor 2014 – Një "po" që është e destinuar të përbëjë debat. Filippo Inzgahi i ka dhënë "ok"-in shitjes së Mario Balotellit. Në takimin në Arcore me Berlusconin dhe Galliani, trajneri i ri i Milanit ka pranuar shitjen e yllit të skuadrës.
Siç shkruan "Tuttosport", nga shitja e SuperMarios kuqezinjtë duan të përfitojnë rreth 25 milionë euro dhe Galliani ka folur me agjentin Mino Raiola për të nisur tratativat me klubet e interesuara. Monaco, Arsenal, Liverpool dhe Tottenham janë ekipet që duan Balotellin.
Ndërkaq Filippo Inzaghi ka filluar punën në drejtimin e klubit të Milanit. Ish sulmuesi i Milanit në ditët e fundit është takuar shumë shpesh me administratorin kuqezi, Adriano Gallianin, për të biseduar për të ardhmen. Sipas mediave italiane, Inzagi i ka paraqitur numrit dy të skuadrës edhe projektin e tij, së bashku me listën e emrave që ai do në këtë merkato.
Përforcimi i parë mund të jetë braziliani i PSG-së, Alex, i cili në fund të muajit lirohet me parametra zero. Nga krahët, objektivi është Davide Santon. Për ish-interistin, klubi kuqezi ka bërë një ofertë zyrtare duke i ofruar Njukasëllit 5 milionë euro, plus kartonin e mbrojtësin Kevin Konstant.Ashley Cole ka shumë shanse për t’u transferuar te Milani, për krahun e majtë. Kuqezinjtë janë rikthyer të mendojnë për Ganson. Fantazisti i San Paolos nuk del kurrë jashtë mode për Milanin.
Në sulm ka shumë dëshira. Emri i parë në listën e Inzaghit është sulmuesi i Torinos, Alesio Cerci. Meqënëse Milani po shet në merkato Mario Balotellin, zëvendësuesi i tij më i mundshëm është sulmuesi i Manchester City-t, Alvaro Negredo. Këto janë fillimisht dëshirat e Pippo Inzaghit, i cili ka shprehur dëshirën për të patur në ekip këta futbollistë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





