10 dhjetor 2014 – “Dëshiroj aprovimin tuaj për njohjen e plot të Kosovës si anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Kush është pro? Ju lutem ngrini duart. Ju Falemnderit !”.
Komiteti Olimpik kosovar është anëtar me të drejta të plota i KON, i familjes Olimpike dhe i lëvizjeve Olimpike. Me këto fjalë, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach i uroi mirëseardhjen Kosovës në familjen e madhe të Sportit, pas votimit të mbajtur në Monte Karlo, ku vendi më i ri në kontinent u bë anëtari i 205-të i KON, pavarësisht kundërshtimeve të Serbisë. Në fjalën përshëndetëse pas këtij vendimi, presidenti i Komitetit Olimpik Kosovar, Besim Hasani e cilësoi këtë vendim si një erë të re për sportin kosovar:
“Kjo është një ditë e madhe për Kosovën, sepse KON bëhet në këtë mënyrë një prej organizmave më të rëndësishëm ndërkombëtar që njeh Kosovën. Një arritje madhështore, por që nuk është fundi i udhëtimit tonë. Ky është vetëm fillimi i një ere të re për lëvizjen Olimpike në Kosovë. Tashmë ne do të përkushtohemi plotësisht në përgatitjet për Lojërat e Rios dhe do të ndihmojë atletët të kualifikohen për në Olimpiadë dhe për këtë shpresojmë që të kemi dhe mbështetjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe të Federatave Ndërkombëtare”.
Në një konferencë të mbajtur pas këtij vendimi, presidenti i KON-it, Bach bëri të ditur se presidenti i Komitetit Olimpik serb, Vlade Divac, nuk ishte i lumtur për këtë vendim por e pranoi atë për të mirën e sportit. Lidhur me këtë vendim u prononcua nga Prishtina dhe ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi që e cilësoi këtë arritje si një moment historik.
“Ky është një moment historik. Me njohjen e Komitetit Olimpik Kosovar, KON-i i dha fund dy dekadave padrejtësi dhe izolimi që janë bërë ndaj sportit kosovar duke i penguar mijëra atletë të rinj që të garojnë në kushte të barabarta në skenën botërore”.
Aktualisht, Kosova po planifikon të dërgojë një ekip në Europianin e Bakus që do të zhvillohet në Azerbajxhan vitin e ardhshëm, ndërsa në Rio De Janeiro pritet të marrin pjesë 10 sportistë kosovarë, në sportet e Xhudos, ping pongut, boksit dhe mundjes, ku shpresat e mëdha për medalje janë për Majlinda Kelmendin, kampione e botës në disiplinën e xhudos.





