Lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kinës pritet të përshkallëzohet edhe më tej, duke rritur ndjeshëm çmimet e produkteve teknologjike për konsumatorët amerikanë. Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave shtesë 50% ndaj mallrave kineze, si përgjigje ndaj tarifave ekzistuese të Kinës prej 34%.
Nëse këto masa hyjnë në fuqi, një iPhone 16 Pro Max 1TB mund të arrijë deri në çmimin rekord prej 3,200 dollarësh – dy herë më shumë sesa kushton aktualisht.
Apple është një nga kompanitë më të goditura nga këto masa. Sipas analistëve, prodhimi i një iPhone-i që aktualisht kushton rreth 550 dollarë, do të shkojë mbi 1,100 dollarë nëse tarifat arrijnë 104%.
Kjo situatë ka shkaktuar blerje paniku në SHBA, ku klientët po nxitojnë të blejnë pajisje me çmimet aktuale, përpara se të hyjnë në fuqi tarifat. Apple po përpiqet të shmangë goditjen duke zhvendosur pjesërisht prodhimin në Indi, ku tarifat janë më të ulëta, por kjo mbulon vetëm një pjesë të kërkesës.
Ekspertët thonë se rikthimi i prodhimit të iPhone në SHBA është i pamundur për shkak të kostove shumë të larta të punës dhe infrastrukturës.
Ndërkohë, edhe produkte të tjera të Apple si AirPods, Apple Watch dhe iPad pritet të pësojnë rritje të ndjeshme çmimesh, për shkak të tarifave të importit nga vende si Vietnami.