BAGDAD, 01 mars 2013– Të paktën 5 irakianë kanë vdekur ndërsa 3 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë e tejmbushur, është fundosur në lumin Tigër në Bagdad.

Varka, i përkiste një restoranti me pronar libanez. Policia bëri të ditur gjithashtu se ishin 150 veta mbi varkë, kur ajo u fundos. Ata thanë se nuk ka asnjë informacion, nëse fundosja mund të jetë shkaktuar nga ndonjë akt terrorist.

Duke folur për agjencinë e lajmeve AP, ata thanë se varka ishte mbi kapacitetin e saj, ndërkohë që ka patur shenja të ndryshkjes së pjesëve të metalta të saj, të cilat e mbanin varkën të lidhur në breg.

Pamjet filmike të televizionit lokal shfaqin njerëz të mbledhur në hyrje të restorantit, ndërkohë që trupat, të mbledhura me qese të zeza, po ngarkoheshin në ambulanca.

Restoranti është një nga bizneset e reja që kanë lulëzuar, teksa ekonomia e Irakut ka filluar të rikuperohet nga problemet e invazionit të forcave të huaja të udhëhequra nga ato amerikane, gati 10 vite më parë.