Të paktën 29 persona kanë mbetur të vrarë pas shpërthimit të një bombe në një zonë në jug të Bagdadit, Irak. Një kamikaz ka hedhur veten në erë në një grup njerëzish të mbledhur për të parë një ndeshje futbolli në Iskandaryah, një qytet 40 km në jug të kryeqytetit.
“Një person ka hedhur veten në erë në momentin kur fituesve po u dorëzoheshin trofetë”, i tha agjencisë France Presse një burim pranë policisë vendase. Më shumë se 50 persona kanë mbetur të plagosur. Burime nga spitalet vendase thonë se bilanci i viktimave është i destinuar të rritet.
Sulmin e ka marrë përsipër Shteti Islamik, i cili ka publikuar një mesazh në median e tij, “Amaq”. Grupi terrorist ka ndërmarrë një fushatë shpërthimesh vetëvrasëse në Irak kundër forcave irakiane dhe aleatëve të tyre që luftojnë kundër militantëve të ISIS-it në veri dhe perëndim të vendit.