Miliarderi iranian Babak Zanjani, personi më i pasur në Republikën Islamike të Iranit, është dënuar me vdekje, pasi është shpallur fajtor nën akuzat për korrupsion. Dënimi u shpall sot për Zanjanin dhe dy të pandehur të tjerë. Zanjani ka dalë në pah gjatë presidencës së Mahmud Ahmadinejad për aftësitë e tij për t’i ndihmuar Iranit që t’iu shmanget sanksioneve ndërkombëtare dhe të shesë naftë jashtë vendit.
Ai është dënuar për mashtrim dhe krime të tjera ekonomike. Zanjani po ashtu duhet të paguajë dëmshpërblim ndaj shtetit për humbjet qe ka shkaktuar. Ai është arrestuar në dhjetor të vitit 2013. Pasuria e tij në atë kohë ka qenë rreth 14 miliardë dollarë.