Irani ka reaguar fort pas vendimit për ardhjen në Shqipëri të një grupi prej 2500 pjesëtarëve të Mujahedin-e-Khalq, që është opozita e regjimit të Teheranit. Në një shkrim të gjatë, në radion shtetërore të Iranit në gjuhën shqipe, Iran Albanian Radio, shkruhet me shkronja të mëdha: “Kerri sjell terroristët në Shqipëri”. Ndërkohë, që është vendosur edhe një foto e Sadam Huseinit, ish-liderit irakian, me Massoud Rajavi, ish-kreun dhe aktualisht sekretari i përgjithshëm i Mujahedin-e-Khalq dhe bashkëshorti i Maryam Rajavi, kryetarja aktuale e Mujahedin-e-Khalq.

Madje, Iran Albanian Radio shkon edhe me tej në akuzat e saj, kur thotë se organizata opozitare, që Teherani e quan “terroriste”, do të transferojë kampin e vet nga Iraku dhe do të ndërtojë një kamp të madh pikërisht në Shqipëri. Ndërkaq, në faqen e saj në rrjetet sociale, Iran Albanian Radio përmend edhe shërbimet sekrete, duke botuar foto të shumta të pjesëtarëve të opozitës, të strehuar në vendin tonë, si: rrugë, autobusë urbanë, si edhe në kampin e strehimit në Babrru. Me një fjalë, Iran Albanian Radio ka lëshuar mesazhin se çdo gjë shikohet dhe përgjohet nga Teherani.

Marrë me shkurtime nga Iran Albanian Radio & Mapo.al