Iranianët vajtuan të premten mbi arkivolet e viktimave të dy shpërthimeve vdekjeprurëse në Iran, ndërsa Ministria e Brendshme tha se janë arrestuar disa të dyshuar për kryerjen e këtyre sulmeve, përgjegjësinë për të cilat e mori Shteti Islamik.
Turma në varrimin e viktimave brohoriti: “Hakmarrje, hakmarrje” në qytetin Kerman, vendin e ngjarjes së shpërthimeve të së mërkurës, të cilat ishin më vdekjeprurëset prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Së paku 89 njerëz u vranë nga këto shpërthime gjatë shënimit të përvjetorit të ish-komandantit iranian, gjeneralit Qassem Soleimani, i cili ishte vrarë para katër vjetëve nga një sulm ajror amerikan.
Shpërthimet e së mërkurës kanë nxitur frikën se mund të zgjerohet konflikti në rajon, pasi Izraeli po e vazhdon luftën kundër grupit të cilësuar organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, Hamas, në Rripin e Gazës, dhe grupi rebel Huthi nga Jemeni, i cili është i lidhur me Iranin, po i vazhdon sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Ministri i Brendshëm i Iranit, Ahmad Vahidi, tha për televizionin shtetëror se disa të dyshuar janë arrestuar.
“Agjencitë e afta të inteligjencës së vendit tonë kanë gjetur pista shumë të mira në lidhje me elementet e përfshira në shpërthimet terroriste në Kerman, dhe një pjesë e atyre që patën gisht në këtë incident janë arrestuar”, tha ai, pa shpjeguar.