Ministria e Jashtme e Italisë njoftoi se gazetarja Cecilia Sala, e cila ndodhej në Iran për ta kryer “veprimtarinë e saj gazetareske”, është arrestuar nga policia në Teheran.

Ministria tha në një komunikatë të premten se, Sala, e cila ka një podkast të quajtur “Stories” – rrëfime për jetën në vendet përreth botës, u arrestua më 19 dhjetor.

Ajo nuk tregoi arsyen e arrestimit të saj, por tha se ambasadori italian në Teheran e vizitoi atë “për t’i verifikuar kushtet dhe gjendjen e Salas në paraburgim”.

“Familja u njoftua për rezultatin e vizitës konsullore. Sala kishte mundësi t’i bënte dy telefonata me të afërmit e vet”, – tha Ministria italiane.

Sala e postoi një podkast nga Teherani më 17 dhjetor rreth patriarkatit në kryeqytetin iranian.

Irani akuzohet rregullisht për arrestimin e shtetasve me shtetësi të dyfishtë dhe të qytetarëve perëndimorë nën akuza të rrejshme, për t’i përdorur ata për trysni ndaj vendeve perëndimore.

Në fillim të këtij muaji, Reza Valizadeh, një shtetas amerikano-iranian dhe ish-gazetar i Radio Farda të Radios Evropa e Lirë, u dënua me 10 vjet burgim nga Gjykata Revolucionare e Teheranit për gjoja “bashkëpunim me një qeveri armiqësore”.

Valizadeh dha dorëheqjen nga Radio Farda në nëntor të vitit 2022, pas një dekade punë. Ai u kthye në Iran në fillim të vitit 2024 për të vizituar familjen e tij, por u arrestua më 22 shtator.

Në dy seancat e tij gjyqësore, të mbajtura më 20 nëntor dhe 7 dhjetor, raportohet se mungonin përfaqësues të prokurorisë, dhe rolin e tyre e mori përsipër vetë gjykatësi.

Burime pranë gazetarit pretendojnë se ai ra në “grackën e sigurisë”, pavarësisht se kishte marrë garanci jozyrtare nga zyrtarët iranianë të sigurisë se nuk do të kishte probleme ligjore kur të kthehej në Iran.

Irani është ndër vendet më shtypëse për sa i përket lirisë së shtypit. Reporterët pa Kufij e renditën Iranin në vendin e 176-të nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2024.