Ekskluzive e “Dyrrah”-ut / Teheranit i “djeg” largimi i opozitarëve drejt Tiranës, një deputet me ndikim i qan hallin vendit mikpritës: “Si mundet që ata, të cilët nuk kanë pasur mëshirë për bashkatdhetarët e vet, të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore me shtetas të huaj?”

TEHERAN, 19 maj 2013 – Mbërritja e anëtarëve të organizatës “Mojahedin-e Khalq” (MKO, apo dhe me inicialet MEK, PMOI dhe NCRI) në Shqipëri do të kërcënojë sigurinë kombëtare të vendit, paralajmëroi më 19 maj një ligjvënës iranian, njoftoi agjencia iraniane gjysmëzyrtare e lajmeve FNA.

Regjimi diktatorial i Teheranit ka reaguar kundër strehimit të 14 anëtarëve të opozitës në Shqipëri, pas njoftimit të dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Duke folur për problemet e zhvillimit, anëtari i komisionit të sigurisë dhe politikës së jashtme, një nga njerëzit më me ndikim në parlamentin iranian, deputeti Baqer Hosseini Seyed, paralajmëroi Tiranën për pasojat negative që do të sjellë prania e 14 azilantëve të sapoardhur në Tiranë, anëtarë të MKO-së.

Hosseini pyeti në mënyrë retorike: “Si mundet që anëtarët e MKO-së, që nuk kanë pasur mëshirë për bashkatdhetarët e vet, të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore me shtetas të huaj?”

Për ligjvënësin iranian, “Qeveria shqiptare duhet të shmangë përsëritjen e gabimit që kanë bërë vendet e tjera në lidhje me pranimin e anëtarëve të MKO-së, sepse këta njerëz janë të rrezikshëm si për sigurinë kombëtare të atij vendi ashtu dhe të gjithë rajonit”, njofton FNA.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/