Irani dhe Suedia shkëmbyen të burgosur të shtunën përmes një marrëveshjeje e cila përfshin lirimin e Hamid Nourit, të dënuar për krime lufte nga Suedia në lidhje me ekzekutimet masive të vitit 1988 në Republikën Islamike.
Nouri u liria në shkëmbim të lirimit të një diplomati të Bashkimit Evropian dhe të një burri tjetër të mbajtur nga Teherani.
Irani i liroi Johan Floderus, një suedez që punonte për trupin diplomatik të BE-së, si dhe Saeed Azizin, tha kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson.
“Ata janë në avion rrugës për në Suedi, dhe së shpejti do të ribashkohen me familjet e tyre”, tha Kristersson në rrjetin social X.
Omani e ndërmjetësoi marrëveshjen e shkëmbimit, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e Omanit.
Televizioni shtetëror iranian raportoi se Nouri është liruar tashmë dhe se do të kthehet në Teheran.
Në vitin 2022, Gjykata e Qarkut e Stokholmit e dënoi Nourin me burgim të përjetshëm për shkak të rolit të tij në ekzekutimet masive. Gjykata e identifikoi atë si ndihmës të zëvendësprokurorit në burgun Gohardasht në periferi të qytetit iranian Karaj.
Ekzekutimet masive të vitit 1988 u kryen në fund të luftës së gjatë të Iranit me Irakun. Pasi lideri suprem i atëhershëm i Iranit, Ruhollah Khomeini, e pranoi një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara për armëpushim, pjesëtarët e grupit opozitar iranian, Mujahedeen-e-Khalq, të armatosur rëndë nga Saddam Hussein, kryen një sulm befasues përgjatë kufirit iranian.