Media shtetërore iraniane raportojnë se këtë të hënë Izraeli ka kryer sulm ndaj objektit bërthamor në Fordow, pas goditjeve të një dite më parë nga forcat amerikane në të njëjtën zonë.
Një zëdhënës i Shtabit të Menaxhimit të Krizave në provincën Qom, konfirmoi për agjencinë e lajmeve Tasnim, se Fordow, i ndërtuar në brendësi të një mali është goditur për herë të dytë.
Media izraelite ka raportuar se ushtria izraelite ka sulmuar një rrugë hyrëse drejt objektit bërthamor.
Sipas shefit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, sulmet amerikane gjatë fundjavës pritet të kenë shkaktuar “dëme shumë të konsiderueshme” në kompleks, për shkak të ndjeshmërisë së centrifugave ndaj dridhjeve.
Ai shtoi gjithashtu se për momentin “askush nuk mund të thotë me saktësi se sa e madhe është dëmtimi në pjesën nëntokësore të objektit”.
Kujtojmë se presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se forcat amerikane kishin goditur tri objektet kryesore bërthamore të Iranit: në Natanz, Isfahan dhe Fordow.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se ndaj objektit në Fordow u përdorën gjashtë bomba të posaçme për shkatërrimin e bunkerëve, ndërsa 30 raketa të tipit Tomahawk u lëshuan mbi objektet e tjera bërthamore.
“Një ngarkesë e plotë BOMBASH goditi objektin kryesor në Fordow,” shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale. “Fordow nuk ekziston më.” Ai shtoi: “Irani tani duhet të pranojë të përfundojë këtë luftë.”