Irani është i përgatitur për bisedime me Shtetet e Bashkuara, por do të mbrohet nëse provokohet!

Kështu ka deklaruar misioni diplomatik i Teheranit, në Kombet e Bashkuara, pas rritjes së tensioneve mes dy vendeve.

“Irani është gati për dialog, bazuar në respekt të ndërsjellë dhe interesa të ndërsjella. Por nëse i bëhet presion, do të mbrohet dhe do të përgjigjet si kurrë më parë”, tha misioni iranian në një postim në platformën X.

Më parë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump i kërkoi Teheranit të arrinte një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor, duke kërcënuar se nëse nuk e bën këtë, Uashingtoni do të nisë një sulm të ri, “shumë më të keq” se ai i mëparshmi.

Në një postim në Twitter, Trump tha se armata, e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, po lëvizte me “shpejtësi të madhe, fuqi të madhe, entuziazëm dhe vendosmëri”, duke theksuar se ishte një flotë më e madhe se ajo e dërguar në Venezuelë.

Ai shprehu shpresën se Irani do të “vinte në tryezën” e negociatave dhe do të arrinte një marrëveshje që do të ndalonte armët bërthamore dhe do të ishte “e mirë për të gjitha palët”.

Presidenti i SHBA-së theksoi se koha po mbaronte dhe përsëriti thirrjen e tij që Irani të kërkonte një marrëveshje, duke kujtuar veprimet e mëparshme ushtarake që ai i përshkroi si “Operacioni Çekiçi i Mesnatës”.

“Sulmi i radhës do të jetë shumë më i keq! Mos e lini këtë të ndodhë përsëri”, përfundoi ai në Twitter.