Ajo që nisi si një masë sigurie menjëherë pas shpërthimit të luftës më 28 shkurt, tashmë është shndërruar në mbylljen më të rëndë dhe më të gjatë të internetit në shkallë kombëtare të regjistruar ndonjëherë. Sipas monitoruesit ndërkombëtar NetBlocks, Irani ka hyrë në ditën e 37-të radhazi pa qasje në rrjetin global.

NetBlocks konfirmon se ky incident tejkalon çdo rast tjetër të ngjashëm për nga ashpërsia dhe kohëzgjatja. Ndërsa vende të tjera kanë pasur ndërprerje rajonale apo të pjesëshme, rasti i Iranit është unik për shkak të bllokimit total në nivel shtetëror.

“Të jesh pa internet më duket si të jesh pa oksigjen. Ndihem i bllokuar dhe i mbytur”, thotë një 53-vjeçar nga Teherani, duke përshkruar gjendjen e rënduar emocionale të popullsisë.

Për momentin, në vend funksionon vetëm një rrjet lokal jashtëzakonisht i kufizuar, i cili lejon qasjen në faqe shtetërore, por jo në rrjetin global. Përpjekjet e qytetarëve për të komunikuar me botën po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme:

Gjuetia e VPN-ve: Shumë iranianë po përdorin VPN për të hyrë në Instagram apo media ndërkombëtare, por qeveria ka nisur dërgimin e mesazheve kërcënuese me tekst, duke i paralajmëruar me arrestim dhe burgosje.

Internet Satelitor: Një numër shumë i vogël njerëzish përdorin Starlink, i cili mbetet i ndaluar dhe i vështirë për t’u siguruar.

“Vazhdimisht kërkojmë mënyra për t’u rilidhur, vetëm që të dëgjojmë lajme të besueshme”, shprehet një grua nga Isfahani për agjencinë AFP.

Ky nuk është izolimi i parë për iranianët këtë vit. Në janar, vendi kaloi një ndërprerje 18-ditore gjatë protestave antiqeveritare, ku mbetën të vrarë mijëra njerëz. Megjithatë, bllokada aktuale e lidhur me luftën ka hyrë në një dimension të paparë, duke e lënë shoqërinë iraniane në një vakum informativ mes flakëve të konfliktit.