Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit ka deklaruar se Teherani do të sulmojë Izraelin për çdo lloj skenari që do të ndjekë.

“Ne i themi Izraelit se nëse kryeni ndonjë agresion kundër nesh, ne do të sulmojmë,” tha Hossein Salami në një fjalim televiziv.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi,ndodhet në Kajro për bisedime me zyrtarët egjiptianë, si pjesë e një turneu në Lindjen e Mesme kur tensionet po rriten.

Sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 11 palestinezë në veriun e Gazës. Forcat izraelite dërguan tanke në Jabalia në veri, ku palestinezët dhe zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhanë alarmin për mungesën e ushqimit dhe ilaçeve. Banorët e Jabalia thanë se forcat izraelite hodhën në erë disa kampe.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së ka kritikuar vonesën e Shteteve të Bashkuara për reagimin e saj në lidhje me mbështetjen humanitare në veriun e Gazës.

Ai u tha gazetarëve gjatë një samiti në Bruksel se situata në rripin e Gazës është katastrofë.

Nga ana tjetër ushtria izraelite njoftoi se sirenat e sulmit ajror ranë në veri të Izraelit pasi u zbuluan dy predha të lëshuara nga territori libanez. Sulme me dron pati edhe në pjesën jugore të Izraelit, nga një grup i mbështetur nga Irani.

Gjithashtu edhe SHBA-ja goditi objekte të shumta ushtarake të grupit Huthi në Jemen që mbanin raketa në kryeqytetin Sanaa dhe qytetin e Saada.