Në Iran ka ligje të rrepta për femrat, qoftë edhe për të parë një ndeshje futbolli në stadium. Por, për Zahra Khoshnavaz, dëshira ka qenë aq e madhe sa ajo ka ditur që të gjejë mënyrën për të hyrë në stadiume, pa u vënë re: të maskohej si burrë.
Ajo fillimisht preu flokët, veshi rroba të gjera, vendosi një mjekër false në fytyrë dhe hyri pa u shqetësuar në stadiumin e Persepolis FC. Historinë e saj, ajo ka dashur që ta postojë në rrjetet sociale dhe ta raportojë edhe në media të huaja.
Zahra Khoshnavaz, deri tani ka parë dy ndeshje, si e maskuar, por nuk ka ndër mend të ndalet këtu: “Kam planifikuar të shkoj sërish në stadium, por tashmë që e kam bërë publik këtë maskim timin, kam frikë se ai mund të rezultojë fatal për mua”.
Fotot e saj si e maskuar janë shpërndarë në rrjete sociale, çka vuri në dijeni edhe Persepolis FC për veprimin e saj. Madje, tani sa herë që Persepolis ka ndeshje, klubi e telefonon Zahran, për të mësuar vendndodhjen dhe për ta frenuar hyrjen e saj në stadium.





