-Natyra dhe vullneti, harmoni që reflekton jetën

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Mbetet nga më të veçantat që kam hasur. Një zonjë e fisme, pjesë e Durrësit tonë jeton në sfida të pazakonta. Vullneti i saj copton hekurin, krenaria dhe karakteri së bashku, përbëjnë siamezin e qendresës. Quhet Irena Roko.

Vajzë e prindërve të njohur në angazhime profesionale dhe qytetare, Pavllo dhe Romana Roko. Aty i ka rrënjët. Nga aty ushqehet, për të qenë e pakonkurueshme, në atë që merr përsipër të bëj. E kisha thënë, se do të realizoja një profil të këtij fenomeni njerëzor. Dhe tash, është në duart tuaja lexues i nderuar.

Midis detit dhe malit, lindi një karakter

Në Durrës, qytetin ku deti i hap horizontet dhe ku jeta shpesh merr ritmin e valëve të qeta, rrallë lindin natyra, që nuk kënaqen me vijën e sheshtë të bregdetit. Ato kërkojnë vertikaliteten e maleve, kërkojnë ajrin e lehtë, kërkojnë përballjen me vështirësinë, si mënyrë për të njohur vetveten.

Pikërisht në këtë kontrast, mes detit që të qetëson dhe malit që të sfidon, është formuar personaliteti i Irena Rokos, gruaja që nuk mund të kuptohet me një përkufizim të vetëm. Ka zgjedhur një jetë lineare, por një jetë të ndërtuar mbi përvojë, përballje dhe sfidë.

Roko nuk është produkt i rastësisë, por rezultat i një trashëgimie të fortë dhe i një ndërtimi të vetëdijshëm të vetes, ku ndikimi familjar dhe zgjedhjet personale, janë ndërthurur në mënyrë organike. Është krijuar një karakter, që nuk i shmanget të pamundurës, por e kërkon si domosdoshmëri për të jetuar me ngarkesë.

Ka momente në jetë që nuk harrohen, jo për shkak të zhurmës që sjellin, por për shkak të heshtjes që lënë pas. Këto janë thirrjet e brendshme që nuk shuhen. Ato pulsojnë si ritëm i vazhdueshëm në zemër, si dritë e brendshme që udhëheq çdo vendim dhe çdo hap. Për Irena Rokon, kjo thirrje mbetet gjithmonë e pranishme, që nga fëmijëria e hershme.

Nuk ka qenë dëshirë për t’u dalluar mes të tjerëve, as përpjekje për të provuar kufijtë fizikë. Ka qenë diçka më e thellë. Diktim i brendshëm për të lëvizur, për të eksploruar, për të ndjerë botën në çdo dimension fizik, emocional dhe shpirtëror.

Që nga mëngjeset, kur dielli zbukuron detin “Adriatik” dhe deri tek netët e qeta, ku hëna pasqyrohet mbi ujë, Irena ka ndjerë këtë thirrje. Jo vetëm dëshira për të parë horizontin, por një thirrje që e bën të ecë, të shikoj, të shijoj çdo frymëmarrje dhe çdo hap mbi tokë. Për të, natyra nuk është vetëm sfond i jetës. Është bashkëbiseduese, udhërrëfyese, mësuese e heshtur që i mëson guximin, durimin, vendosmërinë dhe respektin për gjithçka që e rrethon.

Kur Irena shikonte kodrat dhe liqenet që rrethojnë qytetin, kur ndiente erën e kripur të detit, apo kur dëgjonte tingujt e maleve të largëta, që përplaseshin me heshtjen e luginave, ndjente një thirrje që i vinte nga brenda. Një thirrje që nuk mund të mos dëgjohej, një zë i heshtur, që e udhëhiqte drejt horizonteve të panjohura.

Çdo hap i saj, çdo vrapim, çdo marshim dhe çdo rrëshqitje mbi borë, ka lindur nga kjo thirrje, një energji e brendshme, që e shtyn përpara pa u lodhur dhe pa u frikësuar nga të papriturat.

Prologu i jetës së Irenës është kështu një histori, një impuls i heshtur që e ka udhëhequr përmes Durrësit, Shqipërisë dhe më gjerë, përmes maleve të larta dhe liqeneve të akullta, përmes valëve të detit dhe shtigjeve të kodrave, duke e bërë çdo hap dialog me vetveten dhe me botën.

Irena nuk është profil, që përshkruhet me cilësi të zakonshme. Nuk është vetëm grua energjike, apo sipërmarrëse e suksesshme, apo pasionante e natyrës. Është përzierje e rrallë e disiplinës së mendjes me shpërthimin e shpirtit, e logjikës me instinktin, e elegancës me egërsinë e bukur të natyrës, që e kërkon pa u lodhur.

Durrësi horizonti i parë, deti si mësues i lirisë

Çdo udhëtim fillon me një pikë referimi, një vend që mbetet brenda kujtesës si origjinë dhe si frymëzim. Për Irena Rokon, Durrësi nuk është vetëm qyteti ku ka lindur dhe është rritur. Është horizonti i parë, që i ka hapur sytë ndaj botës, ai deti i madh që i ka mësuar lirinë, guximin dhe kurajon e së panjohurës. Deti “Adriatik”, i cili shtrihet para qytetit, nuk është vetëm masë uji, por mësues i heshtur që i ka treguar Irenës, se çdo valë është një mundësi, çdo horizont është një sfidë dhe çdo frymëmarrje pranë tij, është hap drejt pavarësisë së shpirtit.

Si çdo fëmijë që rritet pranë ujit, Irena e ka ndjerë tërheqjen ndaj tij që herët. Era e kripur, shiu i lehtë i detit, aromat e peshkut dhe të algave, tingulli i valëve që përplasen lehtë në breg, të gjitha këto elemente krijojnë një simfoni natyrore, që e ka mësuar të dëgjojë, të ndjejë dhe të interpretojë botën rreth saj. Por Durrësi nuk është thjeshtë një vend i bukur për t’u rritur, por shkollë e parë, një laborator ku ajo mësoi të kuptojë lirinë, të vlerësojë hapësirën dhe të ndërtojë lidhje të përhershme me natyrën.

Çdo mëngjes, kur drita e diellit përshkon ujërat dhe reflektimet e saj shkëlqejnë mbi sipërfaqen e detit, Irena ka ndjerë emocion të veçantë. Deti i ka mësuar durimin. Kur valët përplaseshin kundër bregut, mësoi se çdo pengesë mund të tejkalohet. Kur deti ishte bunac, mësoi të vlerësojë qetësinë dhe harmoninë në lëvizje. Çdo moment pranë ujit, çdo lojë e fëmijërisë me rërën dhe valët, çdo shëtitje buzë detit, ishte leksion i fshehur për vullnetin, për forcën dhe për lirinë.

Kur më vonë filloi të eksploronte kodrat dhe male të Shqipërisë, përshkonte lumenj dhe liqene, lëvizte në pyje dhe kanione. Durrësi dhe deti, mbetën gjithmonë burimi i parë i frymëzimit. Ishin horizonti që i mësoi, se liria nuk është vetëm mundësia për të lëvizur, por një gjendje e brendshme, një ndjenjë që lind nga vetëdija për mundësitë dhe kufijtë e t’u.

Trashigimia, familje që ndërtoi karakter

Ka njerëz që formohen nga rrethanat dhe ka të tjerë, që ndërtohen mbi themele të forta, të hedhura me kujdes nga një familje, që nuk i jep vetëm jetë, por edhe drejtim. Në rastin e Irena Rokos, kjo nuk është fjali e bukur për t’u thënë, është thelbi i saj. Nuk erdhi në këtë botë, si fletë e bardhë që u mbush rastësisht. U rrit në mjedis ku çdo fjalë kishte peshë, çdo veprim kishte kuptim dhe çdo ditë kishte një mësim të fshehur brenda saj.

I ati, Pavllo Roko, ishte inxhinier mekanik. Figurë që përfaqësonte një brez njerëzish, që e ndërtonin jetën me përkushtim, me disiplinë dhe me ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj shoqërisë. I formuar në shkollat e Bashkimit Sovjetik, me bagazh të fortë profesional dhe kulturor, solli në Durrës jo vetëm njohuri teknike, por mënyrë të menduari që kërkonte zgjidhje, inovacion dhe përmirësim të vazhdueshëm.

Në Uzinën Mekanike Bujqësore, nuk bëri vetëm drejtuesin. Ishte nxitës idesh, kërkues i vazhdueshëm i të resë, njeri që nuk kënaqej me atë që ishte bërë, por shihte gjithmonë çfarë mund të bëhej më mirë. Ky ishte model, që nuk predikohej me fjalë të mëdha, por përjetohej çdo ditë në sjellje, në vendime, në mënyrën si përballej me vështirësitë.

Por dimensioni më i thellë i Pavllo Rokos, nuk mbeti vetëm profesional. Ishte edhe filozofik. Fjalët e tij të thjeshta, të thëna pa retorikë, mbartin urtësi që nuk vjetërohen.

“O njeri ndihmo vetveten.” Nuk është thirrje për egoizëm, por për përgjegjësi personale. Ishte mësimi, se njeriu nuk duhet të presë gjithmonë nga të tjerët, por të ngrihet vetë, të përballet vetë, të ndërtojë vetë.

“Nëse do të shkosh afër, ik vetëm, nëse do të shkosh larg, ik me shokë.” Filozofi e marrëdhënieve njerëzore, e bashkëpunimit, e kuptimit të ritmit të jetës. Irena e ka jetuar këtë jo vetëm në jetën shoqërore, por edhe në ekspeditat, ku di kur të jetë vetëm dhe kur të mbështetet tek të tjerët.

“Zoti ndihmon guximtarin.” Fjali që nuk flet për fatin, por për veprimin. Për atë moment kur njeriu duhet të hedhë hapin, pa garanci, pa siguri të plotë, por me besim. Këto nuk ishin parime të varura në mur. Ishin pjesë e frymëmarrjes së përditshme të familjes.

Nga ana tjetër, e ëma, Romana Roko, me profesion kimiste, sillte tjetër dimension në këtë ndërtim karakteri. Nëse babai ishte forca shtytëse, mendimi i guximshëm dhe energjia që kërkonte përpara, nëna ishte ekuilibri, saktësia, përpikmëria dhe qetësia e mendimit. Romana i mësoi Irenës rëndësinë e detajit, durimin për të arritur rezultatin e saktë, bindjen për t’ia dalë.

Në këtë familje edhe marrëdhëniet mes vëllezërve e motrave, nuk janë vetëm lidhje gjaku. Mbeten vazhdimësi, e një kulture pune dhe zhvillimi. Vëllai Dhimitri, i formuar në fushën e marinës dhe sipërmarrës në prodhimin e detergjentëve, pasqyron të njëjtën frymë inisiative dhe ndërtimi. Motra Xhilda, e diplomuar në veterinari, sjell staurë tjetër të kujdesit dhe përkushtimit ndaj jetës.

Kështu Irena, nuk është person i shkëputur nga rrënjët. Është degë e një trungu të fortë. Kjo trashëgimi është e veçantë, nga mënyra si Irena e ka përpunuar. Nuk e ka marrë si pasuri të gatshme. E trajton si një bazë, mbi të cilën ka ndërtuar diçka të sajën, të re, të papërsëritshme.

Nëse i ati eksploronte Voskopojën, në një kohë kur pak kush e bënte, Irena shkon deri në Himalaje. Nëse ai sillte inovacion në mekanikë, ajo sjell një filozofi jetese që kombinon disiplinën me lirinë.

Irena Roko, nuk është kopje e familjes. Është evolucioni i saj. Dhe pikërisht këtu, qëndron madhështia e kësaj trashëgimie. Nuk ka krijuar një njeri që ndjek, por një njeri që vazhdon. Një njeri që nuk mjaftohet me atë që ka marrë, por e çon më tej, më lart, më larg, ashtu si vetë hapat e saj në male.

Kur shëtitja kthehet në mision

Për Irena Rokon, natyra nuk hyri në jetë si projekt apo si modë. Erdhi si thirrje e butë, por këmbëngulëse. Fillimisht, ishin shëtitje të zakonshme, ato ecje të thjeshta që çdo njeri i bën për të çlodhur mendjen, për të marrë frymë ndryshe, për t’u shkëputur për pak nga ritmi i përditshmërisë. Ishin hapa të lehtë, pa synime të mëdha, pa ambicie të deklaruara.

Por pikërisht në ato hapa të thjeshta, diçka filloi të ndryshojë. Nisi të ndiente, se ecja nuk ishte vetëm lëvizje fizike, por mënyrë për të hyrë në raport tjetër me veten. Në ato momente, kur hapat bëheshin ritmike dhe frymëmarrja fillonte të thellohej, mendimet e përditshme zbehen, zhurma e brendshme ulet dhe hapet një hapësirë e re, një hapësirë ku njeriu fillon të dëgjojë veten më qartë.

Kjo ishte pika e kthesës. Shëtitja nuk ishte më veprimtari e rastësishme. Filloi të bëhej një nevojë. Një kërkesë e brendshme. Një moment që nuk mund të mungonte pa lënë një boshllëk. Dhe atëherë, natyra filloi të marrë kuptim tjetër. Nuk ishte peisazh për t’u parë, por hapësirë për t’u përjetuar. Një vend ku çdo element kishte një gjuhë të vetën. Era që të prek fytyrën dhe të zgjon shqisat, toka që ndjen nën këmbë dhe të lidh me realitetin, zhurma e gjetheve, rrjedha e ujit, heshtja që nuk është bosh, por e mbushur me kuptim.

Lodhja, që për shumëkënd është kufi, për të u kthye në element të përvojës. Nuk e shmangte më. E pranonte. E kuptonte si pjesë të rrugës, si çmim që paguhet për të arritur diçka më të thellë. Çdo ecje, filloi të kishte kuptim më të madh se vetë distanca. Nuk ishte më çështje kilometrash, por përjetimi. Nuk ishte më rëndësi sa larg shkonte, por si shkonte.

Për Irena Rokon, natyra nuk është destinacion, por mënyrë jetese. Mësoi të lexojë terrenin, të kuptojë motin, të dëgjojë instinktin. Të ndalojë dhe të vazhdojë kur duhet. Të jetë e vetme, pa u ndjerë e vetmuar. Të jetë me të tjerë, pa humbur ritmin e saj.

Shëtitjet u kthyen në kërkim. Kërkim i qetësisë. Kërkim i kufijve të vetes. Kërkim i një harmonie, që nuk gjendet në ritmin artificial të jetës urbane. Dhe pastaj erdhi tjetër ndryshim i rëndësishëm. Filloi të mos ndjekë më vetëm shtigjet ekzistuese. Filloi të kërkojë rrugë të reja. Të improvizojë. Të eksplorojë.

Shqipëria hartë e gjallë në këmbët e saj

Shqipëria për shumëkënd, është vend për t’u parë. Për Irena Rokon është vend për t’u jetuar me këmbë, me frymë, me përjetim të drejtpërdrejtë. Nuk është hartë që lexohet me sy, por që zbulohet me trup, me lodhje, me emocion.

Nuk e njeh Shqipërinë nga dritarja e makinës, as nga fotografitë e bukura që mbushin rrjetet sociale. E ka njohur në mënyrën më të mundshme. Duke e shkelur centimetër për centimetër, duke ndjerë ndryshimin e tokës nën këmbë, duke parë transformimin e dritës nga një zonë në tjetrën, duke përjetuar ndryshimin e ajrit, të klimës, të ritmit.

Në veri, aty ku malet ngrihen si kështjella të egra dhe të bukura, ka hyrë në një kuadrat tjetër të natyrës. Lugina e Valbonës, nuk është për të kartolinë. Është përjetim i gjallë. Uji që rrjedh i kristaltë, që në dritën e mëngjesit merr ngjyrë smeraldi, tingulli që përplaset në gurë, era e freskët që zbret nga majat e mbuluara me borë, të gjitha krijojnë ndjesi që nuk mund të përshkruhen lehtë.

Në Theth, ku rrugët janë të ashpra dhe bukuria është e papërpunuar, përballet me Shqipëri tjetër. Aty nuk ka komoditet. Ka vetëm natyrë të pastër, të fortë, që të sfidon në çdo hap. Shtigjet që ngjiten mes shkëmbinjve, urat e vjetra, uji i ftohtë që rrjedh mes gurëve, ajri i pastër që të mbush mushkëritë deri në fund, të gjitha janë pjesë e një përvoje që kërkon respekt dhe përkushtim.

Në majën e Korabit, në Jezercë, përballet me formate të tjera. Nuk është më vetëm bukuri. Është përballje. Çdo hap kërkon kujdes, çdo lëvizje duhet të jetë e menduar. Aty, njeriu nuk është dominues. Është i vogël përballë madhështisë së natyrës. Dhe pikërisht, kjo e tërheq Irenën. Ndjen përulësi tërheqëse, respekt të thellë për atë që është më e madhe se vetja.

Në lindje, në zonat e Mokrrës, në majat e Qafës së Gjemthit, në liqenet akullnajore që shfaqen si pasqyra të fshehura mes maleve, gjen qetësi tjetër. Këtu natyra nuk është e ashpër si në veri, por është e thellë, e heshtur, meditative. Ka një lloj qetësie që të fton të reflektosh, të ngadalësosh, të hysh në ritëm më të brendshëm.

Në jug, në malin e Gramozit, përjeton madhështi që nuk është gjithmonë e dukshme për syrin e zakonshëm. Në malin e Thatë, në pllajat e tij të gjera, në horizontet që hapen pa pengesë, ndjen tjetër segment të lirisë. Nuk është më ngjitje e vështirë, por ecje e gjatë, e qetë, që të çon në një marrëdhënie të butë me natyrën.

Në bregdet, në jugun e thellë, në shtigjet nga Kuçi drejt Qeparos, përjeton një bashkim të rrallë të maleve me detin. Aty, ku shkëmbi bie drejt në ujë dhe horizonti hapet në pafundësi blu, prek një harmoni që është e rrallë, egërsia dhe qetësia në të njëjtin vend.

Rruga Durrës-Tiranë, shkollë e re mendimi

Rruga Durrës–Tiranë, ashtu siç e përjetoi Irena Roko, nuk ishte kalim nga një qytet në tjetrin. Ishte një akt krijimi. Ishte një filozofi në lëvizje. Ishte një mënyrë për të thënë, se edhe rrugët më të njohura mund të rizbulohen, nëse i shikon me sy tjetër.

Në dukje, kjo është distancë e zakonshme, e përshkuar çdo ditë nga mijëra njerëz me makina, me autobusë, me ndjesi rutine që nuk lë vend për emocion. Por Irena, së bashku me mikun e saj të marshimeve, Gjergji Kote, vendosi ta zhveshë këtë rrugë nga zakonshmëria dhe t’i japë kuptim të ri.

Ata nuk zgjodhën asfaltin. Nuk zgjodhën rrugën e shpejtë. Nuk zgjodhën lehtësinë. Zgjodhën natyrën. Zgjodhën shtigjet, që nuk shënohen në tabela. Kodrat që duken të zakonshme nga larg, por që fshehin brenda tyre botë me ritëm, me jetë, me detaje. Livadhet ku bari lëviz në harmoni me erën, ku toka ka aromë të veçantë, ku çdo hap është më i butë, por më i ndjerë. Burimet e ujit që dalin papritur, si shpërblim i natyrës për këmbënguljen e njeriut.

Por ndërsa kilometrat kalojnë, trupi fillon të flasë ndryshe. Muskujt rëndohen, ritmi ndryshon, heshtja nis të zëvendësojë fjalët. Dhe pikërisht këtu fillon udhëtimi. Ky nuk është më vetëm marshim fizik. Është edhe dialog me veten. Fillon të dëgjojë ritmin e trupit, të kuptojë kufijtë, por edhe mundësitë. Të kuptojë se sa shumë mund të japë njeriu, kur vendos të mos dorëzohet.

Dhe kur afrohen drejt Tiranës, kur qyteti fillon të duket, nuk prek vetëm ndjesinë e mbërritjes, por edhe të përmbushjes. Jo sepse kanë kaluar 41 kilometra. Por sepse kanë kaluar një përvojë që i ka ndryshuar. Kanë treguar, se njeriu mund të dalë nga rutina dhe të ndërtojë mënyrë tjetër të të jetuarit.

Europa estetika e natyrës dhe disiplina e sfidës

Kur Irena Roko doli përtej kufijve të Shqipërisë, nuk po kërkonte vende të reja. Kërkonte përmasë tjetër të natyrës, tjetër nivel të sfidës, tjetër mënyrë për ta vënë veten përballë madhështisë së botës. Sepse çdo hap i saj jashtë vendit nuk është turizëm, por provë e brendshme, sa larg mund të shkojë njeriu, kur nuk ka më vetëm pasion, por edhe disiplinë.

Evropa për shumëkënd është kulturë, qytete, muze, rrugë të bukura dhe monumente. Për Irenën, është mbi të gjitha hapësirë malesh, luginash, akujsh, shtigjesh që të mësojnë respektin për natyrën dhe kufijtë e vetes. Nuk e kërkon Evropën në qendrat urbane, por në majat e saj.

Në Alpet italiane, veçanërisht në Dolomite, përballet me bukuri që nuk është e butë, por e fortë dhe aristokratike. Majat e Dolomiteve, nuk janë vetëm male. Janë struktura guri, që duken si kështjella të ngritura nga koha. Kur dielli lind mbi to, ngjyra ndryshon nga gri në rozë, pastaj në portokalli, pastaj në një të bardhë të fortë që të verbon. Në këto momente, natyra nuk është vetëm peisazh, por spektakël që ndodh në heshtje.

Kur ajo ecën në ato shtigje, ndjen tjetër përmasë të lartësisë. Ajri është më i ftohtë, më i pastër, më i prerë. Hapat nuk janë më të lehta, si në terren të zakonshëm. Çdo hap kërkon përqendrim. Çdo kthesë kërkon vëmendje. Nuk ka vend për shpërqendrim, sepse natyra këtu nuk fal pakujdesinë. Dhe pikërisht kjo e tërheq Irenën, sfida që nuk është me shkëlqim, por serioze.

Në Alpet zvicerane dhe franceze, gjen tjetër estetikë. Nëse Dolomitet janë dramatike dhe të egra në mënyrën e tyre, Alpet zvicerane janë të rregullta, të ftohta, pothuaj perfekte në simetrinë e tyre. Gjithçka duket e pastër, e organizuar, e disiplinuar. Liqenet që pasqyrojnë majat e bardha, livadhet që shtrihen si qilim i gjelbër, qetësia që nuk prishet nga asgjë, të gjitha krijojnë ndjesi harmonie. Asgjë nuk është e rastësishme, por e përpunuar nga natyra me kujdes të rrallë.

Në këto male, Irena nuk është eksploruese spontane. Bëhet sportiste e vërtetë. Sepse këtu nuk mjafton dëshira për të ecur. Duhet disiplinë. Duhet përgatitje fizike. Duhet kontroll i frymëmarrjes. Duhet vetëpërmbajtje. Duhet një lloj serioziteti, që të bën të kuptosh se çdo hap ka peshë.

Në Norvegji, në Trolltunga, mbi atë shkëmb që sfidon gravitetin, qëndroi si simbol i një gruaje, që nuk ka frikë nga të papriturat. Në Vikos Gorge, në Greqi, në Smolikas, në majat e Ballkanit, la gjurmë.

Mëson të dëgjojë trupin. Mëson të ndalojë kur duhet, të vazhdojë kur duhet, të ruajë ritmin, të mos harxhojë energjinë pa nevojë. Kjo e dallon një shëtitëse nga një alpiniste e vërtetë, aftësia për të kuptuar se sfida nuk fitohet me impuls, por me maturi.

Në luginën e Aostës, mes majave që duken sikur mbajnë qiellin mbi supe, përjeton ndjenjë, që është e vështirë të përshkruhet. Nuk është vetëm bukuri. Është një lloj solemniteti natyror. Ndjesi që të bën të ndihesh i vogël, por jo i dobët. I vogël në kuptimin e përulësisë, përballë madhështisë së natyrës.

Në këto udhëtime, Irena nuk kërkon të tregojë sa e fortë është, por të kuptojë sa e fortë mund të bëhet. Çdo mal në Europë, i jep mësim të ri. Në një vend mëson durimin, në një tjetër përqendrimin, në një tjetër qetësinë, në një tjetër guximin për të vazhduar edhe kur terreni bëhet më i ashpër.

Por mbi të gjitha, këto male i japin ndjesi estetike, që nuk mund të gjendet lehtë. Natyra në këto vende, nuk është vetëm e bukur. Është e përkryer në mënyrën si ndërtohet. Drita bie ndryshe. Hija krijon kontraste më të forta. Ajritë të çan mushkëritë. Horizonti më i thellë.

Irena e përjeton Europën, jo si vend që vlen të vizitohet, por si shkollë që duhet përjetuar. Çdo mal është një mësues. Çdo shteg është një provim. Çdo majë është një reflektim. Dhe kur vjen nga këto udhëtime, nuk kthehet vetëm me fotografi. Kthehet me tjetër qetësi, me tjetër forcë, me tjetër qartësi.

Kilimanxharo dhe Nepali, prova e fundit e njeriut me veten

Kilimanxharo nuk është vetëm një mal. Është udhëtim vertikal përmes botëve të ndryshme. Nga baza e tij, ku toka është e ngrohtë dhe e gjallë, ku bimësia është e dendur dhe ajri ka aromë tropikale, deri në majë, ku gjithçka bëhet e zhveshur, e bardhë, e ftohtë dhe e heshtur. Ngjitja nuk fillon me dramë. Nis e butë, me ritëm që të jep besim. Hapat janë të lehtë, frymëmarrja e rregullt, mendja e qetë.

Por ndërsa lartësia rritet, fillon ndryshimi i vërtetë. Ajri bëhet më ngacmues. Trupi fillon të kërkojë më shumë oksigjen. Çdo hap kërkon më shumë energji. Nuk është më çështje force fizike, por durimi. Irena e sfidon malin me ritëm, me vendosmëri të qetë. Në këto lartësi, njeriu nuk ka luksin e shpërqendrimit. Mendja bëhet më e pastër, më e përqendruar. Ka momente kur lodhja nuk është vetëm fizike, por e brendshme, një zë i heshtur që të pyet: “A ia vlen të vazhdosh?” Dhe përgjigja nuk jepet me fjalë. Jepet me hapin e radhës.

Por nëse Kilimanxharo është provë e fortë, Himalajet janë tjetër gjë. Në Nepal, në zemër të Sagarmathës, aty ku ndodhet edhe Everest Base Camp, natyra nuk është vetëm sfidë. Është madhështi absolute. Madhështi që nuk të lejon të mburresh, por të përulesh. Në këto lartësi, afro 6000 metra, gjithçka ndryshon. Ajri është i rrallë, çdo lëvizje është më e ngadaltë, çdo hap është një përpjekje. Nuk ka më ritëm të zakonshëm.

Male gjigante të mbuluara me akull, që ngrihen si mure të pafundme. Lugina të thella, ku era krijon tinguj që duken si gjuhë e panjohur. Qielli i pastër, i thellë, që çfaqet më afër se kurrë. Në këtë mjedis, Irena nuk është më vetëm eksploruese. Bëhet dëshmitare e madhështisë së natyrës.

Çdo hap drejt Everest Base Camp, është përballje me kufijtë e trupit. Por është edhe çlirim i mendjes. Sepse në këto kushte ekstreme, njeriu heq dorë nga gjërat e panevojshme. Mendimet bëhen më të thjeshta. Synimet më të qarta.

Kur ajo ngjitet në Kala Patthar, në atë pikë ku mund të shohësh Everestin në gjithë madhështinë, ndodh moment i veçantë. Është përjetim, që të mbetet brenda vetes. Everesti nuk të flet. Nuk ka nevojë. Prania e tij mjafton. Dhe përballë njeriu ndjen përzierje emocionesh, respekt, përulësi, admirim. Irena e përjeton këtë moment jo si fitore, por si privilegj.

Sepse jo kushdo arrin të jetë aty. Jo kushdo ka vullnetin, përgatitjen dhe guximin për ta çuar veten deri në atë pikë. Në këto lartësi, njeriu mbetet vetëm me veten. Nuk ka zhurmë qyteti, nuk ka shpërqendrime, nuk ka ritëm të jashtëm që të udhëheq. Ka vetëm frymëmarrjen, hapat dhe mendimin. Irena nuk shkon në këto vende, për të treguar se sa larg ka arritur, por sa thellë qendron brenda vetes. Dhe kur ulet nga këto lartësi, zbret si njeri që ka ndryshuar.

Vrapimi gjuha e brendshme

Kur Irena Roko vrapon buzë detit në Durrës, në ato orë kur qyteti sapo zgjohet ose kur dielli po perëndon, krijohet harmoni e rrallë. Rëra nën këmbë, që herë zhytet e herë reziston, e detyron trupin të punojë ndryshe, më thellë, më me ndjesi. Uji që përplaset lehtë në breg krijon ritëm natyror, muzikë të vazhdueshme që shoqëron çdo hap. Në këto momente, ajo nuk është duke menduar për distancën. Nuk është duke llogaritur kohën. Është duke qenë.

Në maratonat e Tiranës, në rrugët e gjalla të qytetit, mes ritmit urban që pulson, gjen energji tjetër. Turma, zhurma, entuziazmi i njerëzve, të gjitha krijojnë atmosferë që të shtyn përpara. Por edhe aty, në mes të shumë njerëzve, mbetet në dialog me veten. Gara për të, nuk është kundër të tjerëve. Mbetet përballje e heshtur me limitet e saj.

Në Milano, kur temperaturat bien dhe ajri bëhet i ashpër, vrapimi merr karakter tjetër. I ftohti nuk është kusht klimatik. Është pengesë që futet në trup, që sfidon muskujt, që kërkon më shumë përqendrim. Çdo kilometër në atë të ftohtë, është dëshmi e vullnetit. Nuk është më vetëm vrapim, por qëndresë.

Në Romë, në atë itinerar që kalon pranë Koloseut, historia dhe lëvizja bashkohen. Në Pogradec, në maratonën e Enkelanës, pranë liqenit që reflekton qiellin, vrapimi bëhet më i butë, më poetik. Aty, natyra dhe lëvizja krijojnë harmoni që e mbush me qetësi të veçantë. Në Voskopojë, në terrenet më të ashpra, vrapimi kërkon më shumë përpjekje, më shumë fuqi, më shumë durim.

Në Kosovë, në ato gara malore me 23 kilometra dhe diferencë të madhe lartësie, çdo hap është përballje. Nuk është më vetëm ritëm. Është ngjitje, është zbritje, është luftë e vazhdueshme me terrenin dhe me lodhjen. Në Ulqin, në bregdetin e Malit të Zi, vrapon në tjetër atmosferë, ku deti dhe rëra krijojnë ndjesi të lirë dhe të hapur. Në Berat, në 21 kilometrat e saj, përballon distancën me qetësi që vjen nga përvoja, nga besimi tek vetja.

Por ajo që e bën vrapimin e Irenës të veçantë, është mënyra si e përjeton. Vrapimi për të, është proçes i brendshëm. Kjo ndodh në mes të një gare, kur trupi fillon të ndiejë lodhjen, kur këmbët rëndohen, kur frymëmarrja bëhet më e thellë. Në ato momente, fillon dialogu më i rëndësishëm. Një zë i brendshëm thotë: “Mjafton. Ndalo.” Dhe një tjetër zë, më i qetë, më i fortë, i përgjigjet: “Vazhdo edhe pak.” Dhe ajo vazhdon.

Dimri dhe bora, qetësia në lëvizje

Kur Irena rrëshqet në pistat natyrore të borës, trupin e ka të shkathët, sytë e saj ndriçojnë, buzëqeshja e saj duket si reflektim i bardhësisë që e rrethon. Në Kolashin të Malit të Zi, ku lartësia arrin mbi 1450 metra dhe në malet e Sharrit në Kosovë, dimri bëhet sfidë. Një moment pa kujdes, mund të bëhet i rrezikshëm, por për Irenën, çdo hap i matur është shprehje e disiplinës. Ka aftësi të jashtëzakonshme të matë distancat, të ndjejë ndryshimin e strukturës së borës, të parashikojë rrëshqitjet dhe të lëvizë me siguri.

Por nuk është vetëm teknika, që e bën këtë përvojë të veçantë. Është edhe mënyra se si natyra dimërore, ndërvepron me shpirtin e saj. Drita e dimrit, e holluar nga retë dhe qielli gri, krijon kontraste të buta mbi bardhësinë e akullit. Tingujt janë të pakët, por çdo krisje e borës, çdo frymëmarrje e thellë bëhet muzikë intime. Në heshtje, dëgjon ritmin e trupit, rrahjet e zemrës dhe frymëmarrjen që pulson, si një bashkëpunim i përkryer me mjedisin.

Në dimër, sfidat nuk janë vetëm fizike, por edhe mendore. Sforcimi i vazhdueshëm, izolimi i natyrës së ashpër dhe lodhja krijojnë ngarkesë shpirtërore. Një vrapim ose një marshim mund të zgjasë për orë të tëra. Vetëm kur mendja dhe trupi punojnë në harmoni, lind një gjendje e lartë qetësie. Kjo është ajo që Irena ka mësuar dhe që e dallon.

Histori që nuk shuhet

Irena Roko nuk është histori që përmbyllet me një arritje, me një majë të prekur, me një rekord të thyer. Nuk jeton për përfundime, por për vazhdimësi. Çdo majë që ajo ngjit, nuk është fundi i një udhëtimi, por fillimi i një etjeje të re. Çdo maratonë që ajo përfundon, nuk është vijë mbyllëse, por pikënisje për sfidë tjetër. Çdo vend që ajo prek, nuk është destinacion i shënuar në hartë, por kujtim që e shtyn të kërkojë më tej.

Irena Roko është nga ata njerëz, që nuk e matin jetën me vite, por me përjetime. Nuk e matin veten me sukseset që tregohen, por me kufijtë që kanë kapërcyer në heshtje. Në një kohë kur shumëkush kërkon rehati, ajo kërkon përballje. Në një botë ku shpesh njerëzit zgjedhin të qëndrojnë, ajo zgjedh të ecë. Dhe jo thjesht të ecë, por të ngjitet, të zbresë, të vrapojë, të rrëshqasë, të përballet, të provojë.

Irena Roko mbetet profil i rrallë jo vetëm për Durrësin, por për çdo vend ku ka shkelur. Nuk është vetëm grua që udhëton, por që dëshmon se njeriu mund të jetë më shumë se rutina e tij, më shumë se frika e tij, më shumë se kufijtë që i vendos vetes.

Irena Roko, nuk është vetëm një emër. Është edhe një mesazh i gjallë që transmeton.

Irena nuk është vetëm sportiste. Është dashuruese e muzikës, frekuentuese e teatrove, shpirt që kërkon artin, po aq sa kërkon natyrën. Di të jetë në një sallë koncerti dhe në një majë mali. Di të veshë elegancën dhe uniformën sportive. Di të qeshë dhe të përballojë heshtjen e maleve.

Jeta është më e bukur, kur e kërkon. Forca është më e madhe, kur e sfidon. Horizontet nuk janë aty për t’u parë, por për t’u arritur. Irena Roko nuk është histori që mbaron. Është rrugë në vazhdim. Një hap pas tjetrit. Një mal pas tjetrit. Një horizont pas tjetrit. Na kujton diçka të rëndësishme. Jeta nuk është për t’u kaluar. Është për t’u jetuar me guxim.

Simbol i rrallë, përtej të zakonshmes

Në një kohë ku jeta shpesh reduktohet në rutina të përsëritura, në qëllime të vogla dhe në ëndrra të kufizuara, figura e Irena Rokos ngrihet si një kundërpeshë e fortë. Ajo është dëshmi, se jeta mund të jetë më shumë. Se njeriu, mund të jetë më shumë. Se kufijtë janë shpesh iluzione, që ne i krijojmë vetë.

Në Durrës, qytetin e saj, nuk është thjeshtë qytetare. Është frymëzim. Shembull që tregon, se edhe nga një qytet bregdetar, ku jeta mund të rrjedhë e qetë dhe e parashikueshme, mund të dalë një shpirt që prek majat e botës.

Irena Roko është një grua, që nuk u kufizua në një rol të vetëm. Është një nënë për djalin e saj Enea Xoxi, arsyeja më e bukur e çdo sakrifice dhe e çdo suksesi. Është një bijë, që mbart me krenari trashëgiminë e Pavllo dhe Romanës Rokos. Është një motër në një familje, ku vlerat nuk janë vetëm fjalë, por realitet i përditshëm.

Është një sipërmarrëse, që ndërtoi me punë dhe dije. Është një sportiste, që sfidon çdo ditë kufijtë e trupit. Por mbi të gjitha, është një shpirt i lirë. Një shpirt, që nuk pranon të mbyllet. Një shpirt, që kërkon gjithmonë sfidën tjetër.

Në një krahasim figurativ, Irena Roko është si një lumë, që nuk ndalet në një shtrat të vetëm. Gjen gjithmonë rrugë të reja, kalon pengesa, çan përpara dhe në fund bashkohet me detin e madh të përvojave.

Është si era e maleve, e pastër, e fortë dhe e pakapshme. Është si bora mbi maja, e qetë në pamje, por e fuqishme në esencë. Është si deti i Durrësit, herë e qetë, herë e trazuar, por gjithmonë e gjallë. Kjo e bën të pazëvendësueshme. Sepse njerëz si ajo, nuk maten me tituj. Nuk maten me poste. Nuk maten me fjalë. Maten me gjurmët që lënë.

Dhe gjurmët e Irena Rokos, nuk janë të zakonshme. Janë gjurmë në borë, në shkëmb, në shtigje të vështira. Janë gjurmë në mendje dhe në frymëzim. Janë gjurmë që tregojnë një histori. Është historia e një gruaje, që nuk pranon të jetojë brenda kufijve.

Durrës: 26 mars 2026