DUBLIN – Presidenca irlandeze konfirmon se brenda gjashtëmujorit që ajo kryeson Bashkimin Europian,do të merren vendime të rëndësishme për politikën e zgjerimit. Ministri i jashtëm irlandez Eamon Gilmore ka deklaruar para eurodeputetëve të komisionit të punëve të jashtme, se muaji qershor pritet të sjellë avancim cilësor në procesin e integrimit europian jo vetëm për vendet kandidate, por edhe për ato kandidate potencialë. Sipas tij, Shqipërisë mund t’i akordohet statusi i kandidatit brenda qershorit, raporton ABCnews.
“Së pari më duhet të them se Shqipëria është për t’u përgëzuar për përmbushjen e një sërë reformash thelbësore. Samiti europian i dhjetorit doli në konkluzionin se ka ende masa që duhen marrë para se të akordohet statusi i kandidatit, që kanë të bëjnë me reformën në sistemin gjyqësor, administratën publike dhe reformën e rregullores së Kuvendit. Komisioni është ftuar që t’i raportojë Këshillit kur të shënohet progres i mjaftueshëm në këto pika për të vendosur lidhur me statusin e kandidatit. Irlanda është në favor të statusit të kandidatit të Shqipërisë pas një raporti pozitiv të Komisionit Europian. Ne shpresojmë që kjo të arrihet brenda presidencës tonë”.
Komisioni Europian do t’i paraqesë Këshillit të Ministrave raportet e ndërmjetme mbi zgjerimin në pranverë. Për këtë arsye, ekzekutivi i Bashkimit Europian së bashku me Parlamentin Europian nxisin vendet e Ballkanit që të përmbushin prioritetet përkatëse deri në mars. Rezultate të kënaqshme në raportet e marsit do të bënin të mundur marrjen e vendimeve të rëndësishme nga liderët europianë nësamitin e 27 dhe 28 qershorit. Shqipërinë e ndan nga statusi i vendit kandidat vetëm votimi i ligjeve për Gjykatën e Lartë dhe nëpunësit civil dhe përmbyllja e reformës parlamentare.