Irlanda, e cila thuajse falimentoi dy vjet më parë është në gjashtë muajt e ardhshëm presidente e radhës e BE. Irlanda gradualisht po del nga bataku financiar. Një shembull për të tjerë?
Dy vjet më parë, Irlanda u struk nën ombrellën e shpëtimit. 85 miliardë euro ndihma financiare i premtuan shtetet e tjera të eurozonës dhe FMN-ja. Qeveria irlandeze u desh të merrte të gjitha përgjegjësitë për bankat irlandeze, që të pengonte një kolaps të ekonomisë. Bankat e panë veten mbi male kredishë të pambuluara të pasurive të patundshme, spekulimet e tyre qenë të jashtëzakonshme. Për shkak të shpëtimit të bankave shtetit irlandez iu desh të futej thellë në kredi. Deficiti buxhetor në vitin 2010 ishte në shumën astronomike prej 32 përqind të produktit social bruto.
"Një dekadë e humbur"
Që atëherë, u ndërrua qeveria, u miratuan pesë paketa kursimi. Kërkesa në tregun e brendshëm ra dhe kuota e papunësisë arriti në 15 përqind. Mijëra irlandezë emigruan për ta gjetur fatin në Australi, në SHBA dhe në Britani të Madhe. Kryeministër ndërkohë është kristiandemokrati Enda Kenny, i cili e zbaton në mënyrë të hekurt paketën e kursimit dhe të reformave, për të cilën është rënë dakord me Bashkimin Evropian dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar. "Nuk jemi në një gjendje shumë të vështirë", tha Kenny në takimin e fundit të nivelit të lartë të BE-së duke bërë bilancin e dy viteve të fundit. "E theksoj, përballë vështirësive të shumta që kanë njerëzit dhe sektorë të tërë të shoqërisë irlandeze, na duhet të marrim vendime të vështira, në interes të popullit dhe të vendit. Ne do të përpiqemi që ta bëjmë këtë në mënyrën më korrekte të mundshme." Ndërkohë, programi i rimëkëmbjes së ekonomisë po tregon frytet e veta, konfirmon profesori Philip Lane. Ai drejton Fakultetin e Ekonomisë në Trinity College në kryeqytetin irlandez Dublin. Ekonomia e Irlandës ka shënuar një rritje të lehtë muajt e fundit. Vitin e ardhshëm do të ketë një rritje graduale. "Për ta arritur nivelin e produktit social bruto që kemi pasur para krizës do të na duhen pesë vjet, mendoj unë. Do të na duhen disa vite rritje ekonomike, deri në vitin 2017. Mund të flasësh pra për një dekadë të humbur."
Tigri ngrihet përsëri në këmbë
"Tigri kelt " kështu e quajtën Irlandën në kohën e bumit ekonomik dymbëdhjetë vjet më parë. Prej vendit më të varfër të BE-së, Irlanda doli në radhën e parë të vendeve në BE. Enda Kenny, kryeministri beson megjithatë se tigri së afërmi mund të bëhet gati për kërcim. "Më duhet të them se investimet në Irlandë janë sërish shumë të mëdha. Kujtoj faktin se para ardhjes sonë në pushtet, për tri vjet humbëm 250.000 vende pune. Kurse vitin e fundit u krijuan 20.000 vende të reja pune," u tha kryeministri irlandez reporterëve pak ditë më parë. "Ka shenja përmirësimi: bankat kanë qenë në gjendje të sigurojnë para pa ndihmë shtetërore dhe disa agjenci shtetërore mundën të shesin sërish hua shtetërore. Këto janë shenja optimizmi." Megjithatë, edhe në vitin 2012, deficiti buxhetor ishte 8,5 përqind e produktit social bruto. Borxhet e përgjithshme do të arrijnë në 2013 rreth 121 përqind të produktit social bruto.
Çelësi është eksporti
Industria e ndërtimit dhe bankat e shtetëzuara ecin ende me hapa të vegjël. Por industri të tjera si ajo e shërbimit dhe e teknologjisë së lartë po rimëkëmben gjithnjë e më shumë. Bankat pushuan punonjës. Shteti u mori atyre kreditë e pambuluara dhe i futi në të ashtuquajturat "bad bank", që financohen me para evropiane. "Nga ana tjetër kemi një biznes eksporti që funksion shumë mirë," e përshkruan gjendjen Holger Erdmann, nga Dhoma e Tregtisë Gjermani-Irlandë. "Meqenëse gati çdo producent edhe eksporton, meqenëse tregu i brendshëm në Irlandë është i vogël, sipërmarrësit dhe të punësuarit në këto degë janë në gjendje mjaft të mirë."