Angli, 23 maj 2014  – Një 23 vjeçar, emigrant shqiptar në Londër të Anglisë, është arrestuar nga Zyra e Emigracionit Anglez pasi u kap pa dokumenta në momentin që po lante makinën e tyre në një lavash, në të cilin ky punonte.
 
Lajmi bëhet i ditur nga mediat angleze, sipas të cilave mësohet se  23 vjeçari shqiptar ishte punonjës në një lavash në Londër, ndërsa fati i tij i keq ka bërë që klientela e tij e rradhës të jetë vetë policia që kujdeset për kapjen e emigrantëve pa leje qëndrimi në Britaninë e Madhe.
 
E ndërsa i riu shqiptar ka menduar se kjo do të ishte pjesë rutinë e punës së tij të përditshme, forcat e policisë i kanë kërkuar një kontroll të dokumentave, ku edhe është pikasur se ai është një emigrant pa të drejtë leje qëndrimi në Britaninë e Madhe.
 
Kjo ka bërë që ai të përfundojë në pranga ndërsa pritet edhe dërgimi i tij drejt Shqipërisë. Ndërkohë autoritet britanike kanë nisur procedim penal edhe ndaj lavazhit i cili kishte punësuar një person pa dokumentacionet përkatëse, diçka e ndaluar në Angli. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/