"E të mendosh që një i sëmurë psiqik, budalla me letra dhe i liruar si budalla me vendim gjykate, i bën rreshtore të gjithë politikanëve të PS në Durrës, kryebashkiakëve të qarkut Durrës dhe shkund nga ana tjeter komplet ata te PD në Durrës."

Kështu shkruan gazetari Elton Qyno teksa komenton përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane "Bild", ku shihej sesi Astrit Avdyli, urdhëronte politikanë, kishte lidhje me drejtorë dhe lobonte për listat e deputetëve të PS.

Në një reagim në rrjetet sociale, Qyno ka publikuar vendimin e gjykatës së Apeliit në Shkodër, që e përcaktonte gjendjen mendore të Avdylit si depresive, me tentative vetëvrasjeje.

POSTIMI I PLOTË

E të mendosh që një i sëmurë psiqik, budalla me letra dhe i liruar si budalla me vendim gjykate, i bën rreshtore të gjithë politikanëve të PS në Durrës, kryebashkiakëve të qarkut Durrës dhe shkund nga ana tjeter komplet ata te PD në Durrë.

Jam shumë i lumtur për shtetin që kam.

Ja cfarë thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër për Astrit Avdylin, i cili kërkonte lirinë se ishte i sëmurë mendor.

“…përfaqësuesi i kërkuesit Astrit Avdyli, kërkoi lënien në fuqi të Vendimit nr. 253, datë 30.10.2006, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me arsyetimin se jeta e të dënuarit Astrit Avdyli rrezikohet nga qëndrimi i tij i mëtejshëm në burg, pasi ai është diagnostikuar me “depresion Endogjen me tentativa suicidale”.

Dëgjoi prokurorin, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e kërkesës së të dënuarit Astrit Avdyli, me arsyetimin se gjendja shëndetësore e të dënuarit Astrit Avdyli nuk është e tillë që të justifikojë lirimin e tij nga burgu, duke pasur në konsideratë rrezikshmërinë shoqërore të veprës për të cilën është dënuar, si dhe faktin që ekspertët janë shprehur se gjendja e tij shëndetësore është e paparashikueshme si ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve.

Gjykata arriti në përfundimin se, ndryshe nga sa kanë arritur ekspertët e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, grupi i ekspertëve të caktuar nga Gjykata e Apelit ka arritur në një diagnozë tjetër, atë të “Çrregullim psikotik i paspecifikuar me tentativa suicidale”. Klinikisht paraqet çrregullime në formën e deluvioneve, të cilat udhëheqin sjelljet vetëdëmtuese dhe suicidale.

Ekspertët, të pyetur edhe në seancë gjyqësore, kanë shpjeguar se shkaqet e sëmundjes së tij janë multifaktoriale, si për çdo individ tjetër me probleme të shëndetit mendor. Qëndrimi në burg me mjekimin aktual rëndon gjendjen shëndetësore të të dënuarit, pasi ai ka nevojë që të marrë ndihmë mjekësore të specializuar për një kohë të gjatë në kushte spitalore…”.