Duke lënë mënjanë analizën e ndeshjes, Zhoze Murinjo e nis me incidentin e racizmit denoncuar nga Rydigeri. “Unë nuk pashë gjë. Pashë arbitrin që ndoqi protokollin. Ai erdhi te Marriner (arbitri i katërt), tek unë dhe Frenk dhe na tregoi se çfarë po ndodhte. U ndoq protokolli dhe ne jemi një nga klubet. Çdo klub është së bashku në këtë situatë dhe natyrisht që jemi të zhgënjyer”.
Pastaj komenti për ndeshjen dhe ironia me Rydigerin, incidenti i të cilit me Sonin provokoi kartonin e kuq të koreanit: “Ishte një ditë e keqe. Nuk e nisëm mirë ndeshjen. Çelsi e nisi më mirë se ne. Ata shënuan nga një goditje këndi e prerë shkurtazi dhe kjo më zhgënjen. Nuk ishim të përqendruar. Goli dytë ishte një gol i keq.
Penalltia ishte penallti, vendim i drejtë nga VAR-i, por situata e Sonit u menaxhua keq. Arbitri duhet të ndëshkonte Rydigerin dhe reagimi i Sonit nuk është një gjest agresiv. A ka Rydiger ndonjë brinjë të thyer apo ka shkuar në spital? Disa njerëz e quajnë një gjest inteligjent të tij. Për mua ai karton i kuq ishte i çuditshëm. Shpresoj që Rydiger të riaftësohet nga thyerja e brinjëve, sepse ai duhet të ketë brinjë të thyera me siguri”.





