Mbledhja e sotme e Komisionit të Integrimit, ku u diskutua nen për nen ligjin për diasporën, është shoqëruar me debate mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe të opozitës.

Deputeti i PD-së Klevis Balliu akuzoi qeverinë për taksën për rrugën e Kombit, ndërsa pyeti me ironi për faktin nëse kjo ishte mënyra që të afrohej diaspora.

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, pohoi se procedura e regjistrimit të emigrantëve do të bëhej nga Komisioni i Reformës Zgjedhore.

Kaq mjaftoi që të ndërhynte Nard Ndoka, i cili ironizoi ministrin, ndërsa theksoi se këtë të fundit u vendos në këtë post Rama për hatër.

DEBATET

Klevis Balliu: Në një kohe që kaloni ligj për diasporën, i vendosni një takse shqiptarëve në Kosovë. 10 euro si asnjë vend tjetër. Kështu do e afroni diasporën?

Mimi Kodheli: Kush do ta afroj diasporën? Diaspora të rrije atje ku është. Z. Majko kur thotë ‘ta afrojmë diasporën’ e ka në mënyrë metaforike.

Tritan Shehu: Kjo strukturë do të përdoret për të marrë votat e emigrantëve.

Pandeli Majko: Regjistrimin e emigranteve dhe mënyrën e votimit të tyre do ta zgjidh Komisioni i Reformës Zgjedhore.

Nard Ndoka: Mos e ngacmojmë Majkon, e dimë që ka një ministri improvizore, të sajume. E bëri Rama ministër për hatër. Më mirë ta lëmë si ministër pa portofol, që mos t’i bëjmë lëmsh, kjo është ministri provizore, e dimë të gjithë.