Administratorja e agjensisë turistike Dea Lines, Arjana Isaku, nënvizon se fakt pozitiv për zhvillimin e turizmit në Durrës është mbërritja e shumë turistëve të huaj me kroçera. Gjithsesi ata janë turistë njëditorë dhe janë më tepër të interesuar për t’u njohur me trashëgiminë kulturore të vendit tonë. 

Zonja Isaku, a kanë nisur prenotimet dhe çfarë ofertash ofron Durrësi, në raport me resortet turistike jashtë vendit?

Sapo kanë nisur prenotimet për stinën e verës. Për këtë sezon kërkesat  më shumë po drejtohen drejt Greqisë, pasi tregu është më i lirë për arsye të krizës që po kalon ky vend. Oferta kemi shumë nga Korfuzi, Selaniku dhe plazhet e Halkidikisë. Një ofertë e fundit, e ardhur në agjensinë tonë këto ditë, është ajo për plazhet e Halkidikisë në Greqi, çmimi i së cilës është 93 euro personi me fjetje, mëngjes dhe darkë të përfshirë.

Trendi i pushuesve, vitet e kaluara, ka qenë Turqia. Po këtë vit cilat janë destinacionet më të preferuara?

Çmimet në shtetet e tjera si Mali i Zi, Kroaci apo plazhet e Turqisë nuk kanë pësuar ndonjë rënie të ndjeshme. Sivjet kemi përsëri një numër të konsideruar klientësh që kërkojnë të ripushojnë në plazhet e Turqisë, kryesisht familjarë. Dihet që resortet e plazheve të Turqisë ofrojnë për familjarët me fëmijë shumë kënde lodrash me akuaparqe dhe shumë animacione që vendet e tjera i kanë më të kufizuara. Do të thoja që plazhet e Turqisë tek ne zënë vendin e parë për argëtimin e fëmijëve.

Kemi dhe një pjesë të klientëve që kërkojnë të realizojnë pushime në Spanjë, në plazhet e Costa Brava-s apo Palma de Mallorca. Këtu koncepti është ndryshe nga Turqia, pasi argëtimi më shumë është jashtë resorteve, sesa brenda tyre siç është në Turqi.

Duke u ndalur në Durrës, çfarë oferte ka për pushuesit?

Kanë filluar prenotimet nga pushues të huaj që kërkojnë të pushojnë  në Shqipëri. Dihet që ne akoma nuk kemi resorte të  mëdha për të patur turistë të shumtë si Turqia apo Greqia. Kërkesat janë një javore në bregdetin e jugut dhe kryesisht familjarë. Pozitive për qytetin tonë është rritja e numrit të turistëve që mbërrijnë këtu me kroçera dhe jahte. Nga informacioni që kemi, këto krocera e kanë futur qytetin e Durrësit në itinerarin e tyre falë bashkëpunimit të agjensive të huaja me agjensitë shqiptare. Turet e tyre kanë qenë kryesisht një ditore në drejtim të qyteteve Durrës-Krujë-Tiranë. Turet e tyre një ditore janë më shumë ture në sajtet arkeologjike dhe kulturore. Kërkesa kemi për hotele në plazhin e Durrësit kryesisht nga shqiptarë të Maqedonisë dhe Kosovës. Në përgjithësi kërkesat i marrim nëpërmjet agjensive të tyre.