Maturantja e shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, Klevisa Shkaba, hapi dje në Durrës ekspozitën e saj të parë personale. Me 40 punime në akrilik dhe grafikë, 18-vjeçarja solli para artdashësve botën e saj shpirtërore, të hedhur në telajo gjatë dy viteve të fundit.
“Jam munduar të sjell teknika të reja, grafika dhe art realist. Punimet i kam realizuar me bojëra vaji, akrilik, bojëra vaji dhe lapsa me ngjyra. Në pikturat e mia jam fokusuar në spektrin e ngjyrave duke u munduar edhe ti kombinoj, e të sjell më shumë krijimtari”,- tha piktorja e re për “DurrësLajm”.
Një nga punimet që tërheq më shumë vëmendjen në ekspozitën e Shkabës, është Mona Liza e famshme, të cilën piktorja e re e sjell me një teknikë të veçantë. Kur e sheh nga larg, Mona Liza shfaqet në të gjithë formën e saj, ndërsa kur i afrohesh, shfokusohet.
“Mona Liza është punuar me një teknikë të veçantë. Është një punim grafik, punuar me akrilik blu. Duke qenë se rrethi është kuptimi i jetës që vazhdon dhe formohet nga dy pika, pika e qendrës dhe pika anash, që rrotullohet rreth saj, pika e mesit, që është dhe vija e horizontit, është ajo që e mban në mes dhe ka kuptimin e të gjithë ekspozitës”, – tha Shkaba.
Tashmë në vit të fundit të studimeve të shkollës së mesme, maturantja Shkaba është duke menduar për universitetin. Për Klevisën, pasioni mbetet dizajni dhe grafika, por ende është në mëdyshje se cilën prej tyre do të ndjekë për të vijuar studimet. Gjithsesi, pasionin për artin dhe pikturën është e sigurt se do ta vazhdojë.
M.B.