Edhe pse kanë kaluar tre dekada e gjysmë nga vdekja e Bob Marleyt, vazhdohet ende të flitet jo vetëm për muzikën e tij por edhe për largimin e parakohshëm nga jeta.

E teksa versioni zyrtar i vdekjes së legjendës së muzikës Reggae është diagnostifikimi me sëmundjen melanoma malinje që kishte prekur gishtin e madh të këmbës së tij, të shkaktuar gjatë një ndeshje futbolli, së fundmi vjen një version tronditës.

Bëhet fjalë për rrëfimin e Bill Oxley, ish-agjent i CIA, i cili po rishkruan historinë e vdekjes së Marley-t, duke pretenduar se e ka vrarë ai vetë.

79-vjeçari ka pohuar se e ka kryer vrasjen e Marley në mesin e 17 vrasjeve të profileve të larta që i kishte në listë qeveria amerikane midis viteve 1974 dhe 1985.

Teksa rrëfen edhe mënyrën e vrasjes, Oxley tregon se i ka shkuar në shtëpi Bob Marleyt dhe i është prezantuar si një fotograf i “New York Times”, i ka dhuruar një palë atlete në shenjë respekti, brenda së cilave kishte një gozhdë e cila ishte me viruse kanceri.

CIA kishte mohuar më parë ndonjë përfshirje në vdekjen e Marleyt, ndërkohë që tani nuk pranon të flasë rreth pohimeve të ish – agjentit të saj.