Pas një karriere të gjatë në shërbimin diplomatik amerikan të cilës i dha fund disa ditë më parë duke u larguar nga pozicioni që mbante në Departamentin e Shtetit, ish-ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, ka nisur një kapitull të ri profesional, por këtë herë në sektorin privat, atë të energjisë.
Ajo është emëruar në një rol të lartë drejtues në ExxonMobil, kompania më e madhe amerikane në fushën e naftës dhe gazit, dhe një nga korporatat më të fuqishme në rang global. Me seli në Teksas, ExxonMobil është kompania e shtatë më e madhe për nga të ardhurat në SHBA, dhe e 13-ta më e madhe në botë.
Ish-ambasadorja Yuri Kim e ka njoftuar emërimin në pozicionin e ri drejtues në llogarinë e saj në rrjetin social X.
ExxonMobil ka një shtrirje të gjerë në disa shtete ku ushtron aktivitetin në fushën e gazit natyror.
Yuri Kim shërbeu si Ambasadore e SHBA në Shqipëri nga viti 2020 deri në vitin 2023, duke qenë një nga zërat më të fortë në mbështetje të reformës në drejtësi, forcimit të institucioneve demokratike dhe afrim të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.





