Durrës, 17 maj 2014– Anija “Kavaja”, prodhuar në Kantierin detar të Durrësit, në vitin 1986, e pesta e serisë së anijeve 500 tonëshe të ekipit të konstruktorit të famshëm të anijeve Gani Ismailati, në natën e së premtes 16 maj 2014, “ngeci” në rrjetën antitrafik të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Brendshme.

Aktualisht ish-anija “Kavaja” mban emrin M/V Era 1.

Në anije gjenden 46-47 ton cigare kontrabandë në kontejnerë. Agjensitë partnere ligjzbatuese besojnë fuqimisht se cigaret janë prodhim fals i një fabrike cigaresh, të ndërtuar në Sudan nga një investitor shqiptaro-malazez, i besimit katolik.

Ekuipazhi i anijes, i përbërë nga 8 persona, flet rusisht, por matrikujt e lundrimit "Seaman book" i ka ukrainas.

Besohet se në Tivar fijet e këtij trafiku shkojnë deri te firma “Roksped” d.d.o. e përkrahur fuqimisht nga Aco Gjukanovic, vëllai i Milo Gjukanovicit, kryeministrit të Malit të Zi. Besohet se ngarkesa duhet të jetë marrë në Portin e Famagustas të Qipros turke. Gjithsesi edhe qëndrimi në spirancë afër ishullit grek Zakintos (afër Korfuzit) , shton dyshimet për anijen ERA 1.

Anija M/V ERA 1ka flamur Tanzanie. Kjo anije deri në prill 2013 mbante emrin Romeo me flamur panamez dhe pronar “Diapolus Marine”. Deri në dhjetor 2009, mbante emrin Gur Kirpa me flamur po panamez, në pronësi të së njëjtës kompani mimitizuese (Front Company), të quajtur “Diaplous Marine” të regjistruar në Ishujt Mareshal.

Deri në dhjetor 2007, emri i anijes ishte Kavaja me flamur shqiptar. Deri në janar 2001 emri i anijes ishte Florida, ndërsa që nga viti1993 ishte Anxhelika.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/