KORÇË, 19 shkurt 2013 – “Nuk dua të flas për atë që i ndodhi ish-gruas sime, pasi i mori me vete të gjitha. Shkak i divorcit tonë ishte lidhja e krijuar mes saj dhe personit tjetër që solli dhe ngjarjen. Pra, lidhja jashtë martesore që ajo kishte krijuar. Kishim gati 10-vjet martesë dhe ajo u dha shkelmin të gjithave për një jetë tjetër. Unë ika nga Erseka vetëm 1 vit e gjysmë më parë, pasi nuk doja të më tregonin me gisht”. Kështu tha dje Artur Konomi, ish-bashkëshorti i Antoneta Petritit, e cila u vra ditën e Shën Valentinit me breshëri automatiku nga i dashuri i saj, Fatos Kapllani. 

Ai pohon se u zhvendos me banim në Tiranë me prindërit dhe djalin 7 vjeç që kishte me Antonetën, pasi nuk duronte dot më. “Aktualisht jam i revoltuar se dua vajzën time. E doja edhe në gjyq, e kam kërkuar gjithmonë, por vajzën ma mori ajo. Tani dua urgjent vajzën time, pasi nuk mund ta lë në dorën e askujt. Nuk arrij ta mendoj sikur të mi kishte ndodhur gjë vajzës sime dhe çfarë do të ndodhte më pas. Dua vajzën urgjent. Nëse mi ndodh gjë, familja e saj do mbajë përgjegjësi”, tha Artur Konomi.