Zonat e ish-bllokut në Tiranë do të kthehet në pedonale duke i dhënë më shumë prioritet lëvizjes së lirë të këmbësorëve. I pranishëm në aktivitetin prezantues “Walk 21”, kryeministri Edi Rama e konsideroi projektin një zhvillim të shumëpritur që do të krijojë një tjetër hapësirë urbane në zemër të kryeqytetit.
“Thënë kjo e besoj se nëse i rikthehemi për një moment kohës kur për shkak të pandemisë u detyruam të ndalonim totalisht qarkullimin, pavarësisht se nuk mund të predikohet se ajo mënyrë jetese të përsëritet në kushtet normaliteti, edhe pse ishte një këmbësorizim total nuk ndodhi ndonjë hata në jetën e përditshme të njerëzve”, tha Rama.
Për kreun e qeverisë, fluksi i trafikut nuk shmanget vetëm duke zgjeruar rrugët, ndërsa paralajmëroi edhe hapsira të reja të parkimit të nëndheshëm.
“Këtu nuk kam parasysh arteriet qendrore kryesore që janë arteriet kombëtare që lidhin qytetet me njëra-tjetrën, por kam parasysh rrugët e brendshme të qytetit” Dekurajimi i trafikut është përgjigjja. Besoj se në këtë zonë do t’ia vlejë shumë të ecet me këtë projekt sepse është një zonë qendrore e aksesueshme lehtësisht nga ku përgjithësisht banorët distancat që duhet të përshkruajnë nuk i kanë të gjata”, shtoi kryeministri.
Projekti i referohet tre rrugëve kryesore të bllokut, rrugës “Ismail Qemali”, rrugës “Pjetër Bogdani” dhe rrugës “Brigada 8”.
Brigada VIII” dhe “Pjeter Bogdani” do të çlirohen nga rreshti i parkimit, i cili do t’i shtohet hapësirës së trotuarit, ndërsa Rruga “Ismail Qemali”, duke qenë një rrugë kryesore, do të ketë një korsi biçikletash dhe vetëm një rresht parkimi.
Gjithashtu përpara institucioneve arsimore do të realizohen sheshe të sigurta, të cilat do të mundësojnë akses më të lehtë dhe më të sigurt për fëmijët, duke reduktuar rreziqet nga trafiku.





