Berni Ekleston nuk përdor fjalë të buta për të analizuar momentin e vështirë të Luis Hamiltonit. Gjatë një interviste për “Daily Mail”, ish-shefi i Formulës 1 e analizoi në mënyrë të gjithanshme situatën që po kalon shtatë herë kampioni i botës, në sezonin e tij të parë me Ferrarin.  “Luis ka qenë një talent i madh dhe ndoshta ende është, por kur arrijnë majën, të gjithë të mëdhenjtë e sportit kanë vetëm një drejtim për të ndjekur, tatëpjetën”, shprehet 94-vjeçari britanik. Sipas Eklestonit, zgjidhja për Hamiltonin është vetëm një: të mendojë për tërheqje. Një zgjedhje që ish-bosi i Formulës 1 e arsyeton kështu: “Është i lodhur, ka bërë këtë punë gjatë gjithë jetës. Duhet të rifillojë nga e para dhe të bëjë diçka krejt ndryshe nga motorsporti.

Ndoshta ende nuk po e mendon këtë, edhe pse do të kishte qenë e përshtatshme ta kishte marrë parasysh kohë më parë”, thotë Ekleston, i cili më pas shton: “Nuk po bën ndonjë shkelje, por do të tallej me veten nëse vazhdon të garojë. Duhet të ndalet tani. Po të isha menaxheri i tij, do t’i thosha Ferrarit: ‘A ka ndonjë në gjendje që mund ta zëvendësojë? Luis është gati të tërhiqet.’ Do të doja që kontrata e tij të respektohej, sepse skuadra e mori me një objektiv të madh, por gjërat nuk po funksionojnë, prandaj mund të gjejnë një marrëveshje. Luis ka fituar tashmë shtatë kampionate bote, nuk ka nevojë të rrezikojë më tej. Nuk i uroj asgjë të keqe, por nuk po lufton më për titullin.

Nuk ka kuptim të rrezikojë të mbetet dy vjet në shtrat nga ndonjë dëmtim i rëndë në shpinë apo diçka tjetër e keqe”, deklaron Ekleston.Ish-shefi i Formulës 1 foli gjithashtu për zëvendësuesin e mundshëm të Hamiltonit te Ferrari, që do të bashkohej me Sharl Lëklerkun: “Do të përpiqesha të merrja në ekip Isak Haxharin nga Racing Bulls. Ka bërë shumë mirë në këtë vit të parë të tij. Për më tepër, është një djalë shumë i mirë. Ose do të zgjidhja Gabriel Bortoleton, pasi ka talent. Të dy janë shumë të vlefshëm”. Të dy pilotët janë në sezonin e tyre debutues në Formulën 1 dhe kanë lënë përshtypje pozitive në këtë fillim kampionati. Piloti i Racing Bulls ka fituar 21 pikë, shtatë më shumë se braziliani, i cili po paraqitet mirë në drejtimin e Sauberit.