Ish-deputeti i PD-së, Agron Shehaj, ndërsa ka folur për situatën në vend, tha se qeveria ka kapur ekonominë dhe se mendojnë se do të jenë gjithmonë në pushtet.
Në një intervistë në rubrikën “Opinion”, në “News24”, Shehaj u shpreh se me ndërrimin e pushteteve, të gjitha skandalet e qeverisë do të hetohen nga policia dhe prokuroria.
Sipas ish-deputetit të PD, nuk kemi të bëjmë me një skemë të madhe vjedhje, por me ngritjen e një sistemi. Shehaj tha se Edi Rama dhe qeveria me një grup oligarkësh, kanë kapur ekonominë, ndërsa shtoi se nuk duhen gjykuar oligarkët si përgjegjës, pasi, sipas tij, ata janë një organizatë kriminale.
“Me ndërrimin e pushtetit, kur Rama të mos jetë më kryeministër, prokuroria dhe policia do jenë të lira të hetojnë këto skandale. Të çudit sjella e pushtetarëve sot. Sillen sikur nuk do vijë dita që të mos jenë më në pushtet. Sillen sikur nuk do vijë dita që prokuroria dhe policia të kenë mundësi të hetojnë. Mendojnë se disqet që janë aty nuk do dëgjohen. Mendojnë se do jenë gjithmonë në pushtet. Kjo siguri u vlen edhe nga fakti që kanë hedhur themelet, sidomos në ekonomi, dhe kanë kapur drejtësinë që i lejon të veprojë kështu, sepse kanë garancinë që nuk do përndiqen.
Skema e vjedhjes është aq e madhe dhe shkeljet janë shumë të mëdha. Mjaftosh të shikosh si veprojnë. Nëse një institucion nuk e ble naftën me çmimin e tregon por disa herë më shrenjtë, nuk ka dyshim që aty ka korrupsion. Mjafton të gërmosh. Unë e zbulova një skandal duke parë regjistrin e kompanive në Delaëare, imagjinoni se ç’mund të bënin prokuroria dhe policia. Nëse është vullneti, kapen dhe është e domosdosme që kjo të bëhet. Kjo sepse nuk kemi të bëjmë me një skemë të madhe vjedhjeje dhe korrupsioni, por kemi të bëjmë me ngritjen e një sistemi.
Kemi një sistem ku Edi Rama dhe qeveria me një grup oligarkësh kanë kapur gjithë ekonominë. Jo thjeshtë vetëm përmes koncesioneve, por në gjithë jetën ekonomike. Sot unë mendoj se nuk duhet ti gjykojmë oligarkët si përgjegjes të një vjedhje të caktuar, por mendoj se ata oligarkë që abuzojnë me paratë publike dhe kanë vjedhur përmes koncensioneve, janë një organizatë kriminale. Kemi të bëjmë me një organizatë kriminale ku kemi oligarkët, politikanët dhe administratën që kanë kapur komplet pushtetin ekonomik. Sot oligarkët afër qeverisë janë kthyer në sekserë”, tha Shehaj.





