Marko Bello, deputet i Partisë Socialiste për tri legjislatura deri në vitin 2013 dhe ministër në kabinetet e mëhershme socialiste, vijon të kritikojë politikat ekonomike të qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama, duke theksuar në një postim të tijin në rrjetin social Facebook se ekonomia ishte duke u harruar.
Teksa shkruan se qeverisë i mungonte vizioni, ish-deputeti socialist Bello thotë: “Shqiptarët do t’i vuajnë pasojat e një qeverisjeje që po rrit borxhin dhe po shet pasuritë publike.”
“Reforma në drejtësi është bërë sot lajmi kryesor në Shqipëri, jo thjesht për shkak të qëndrimeve kontradiktore të partive politike, por mbi të gjitha për nevojën urgjente të ndërtimit dhe funksionimit të një drejtësie sipas standarteve perëndimore, – shkruan Bello. – Mirëpo, duke u marrë të gjithë me drejtësinë, po harrohet me rëndësishmja: ekonomia e vendit, që po rrokulliset me shpejtësi drejt greminës. Sipas raportit për vitin 2016 të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, rreziku më i madh që i kanoset ekonomisë shqiptare është largimi masiv i qytetarëve, thënë ndryshe, rënia drastike e fuqisë së aftë për punë.”
“Ndërkohë, qeveria ka vendosur të shesë 1 700 objekte dhe kompani shtetërore, duke demonstruar mungëse vizioni dhe paaftësi menaxhimi të pasurisë publike, – shkruan më tej Bello. – Shqiptarët do t'i vuajnë gjatë pasojat e një kabineti që po qeveris duke rritur borxhin, duke shitur ose dhënë me konçesion pasuritë publike dhe duke ia shpërndare paratë e taksapaguesve një rrethi të ngushtë klientësh.”