Ish-deputetja e PD e qarkut Durrës, Fatbardha Kadiu ka reaguar me një status të fortë në rrjete sociale, lidhur me përmbytjen e qytetit dhe dëmet e mëdha të shkaktuara tek qytetarët dhe bizneset që ndodhen nën ujë.

Kadiu fajëson për përmbytjen e qytetit bregdetar mos vënien në punë të hidrovorit ekzistues për shkak se subjekti privat që ka në pronësi portin MBM që nga viti 2018 kërkoi zgjerimin e kalatës së tij dhe mosfunksionimin e hidrovorit, që të mos ndoste basenin e portit të tij.

“Kjo ditë do të vinte…

Zanafilla e saj daton në vitin 2018, kur Kastrati kërkoi zgjerimin e kalatës së portit të tij. Ky zgjerim e përfshiu hidrovorin ekzistues (sepse më pas u ndërtua një hidrovor i ri), i cili nuk do ti ndoste ujërat e portin privat të tij.”– shkruan ajo.

Në të njëjtën kohë, Kadiu fajëson lidershipin e partisë së saj në atë kohë, që i kërkuan të mos fliste dhe njëkohësisht i konsideron deputetët aktualë të opozitës që ngrenë zërin për përmbytjen e qytetit 3000-vjeçar bufonë madhështorë dhe të kapur nga oligarkët.

“Por po e shkruaj tani, sepse kur dëgjoj edhe sot llomotitjet e deputetëve opozitarë, të cilët bëjnë vetëm teatër, sikur janë të nervozuar dhe prapë nuk munden të artikulojnë të vërtetën, dhe as nuk japin zgjidhje, më vjen ndot nga këta bufonë madhështorë. Kapja e tyre me oligarkët, njësoj si e rilindasve, është e vërteta”- shkruan Kadiu.

Në të njëjtën kohë ajo drejton gishtin si përgjegjës për përmbytjen e disatë të qytetit bregdetar edhe tek pushtetarët aktualë dhe drejtuesit e institucioneve vendore.

“Sigurisht, nuk dua të anashkaloj absolutisht Sakon, Kovaçin dhe Klosin me vjedhjen e milionave nga tenderët.

Por nëse opozita nuk kërkon menjëherë vënien në punë të hidrovorit ekzistues, atëherë po vazhdojnë lojën e tyre teatrale, me çmimin e jetës dhe dëmet e qytetarëve.”,– përfundon Kadiu

Statusi i plotë:

Kjo ditë do të vinte…

Zanafilla e saj daton në vitin 2018, kur Kastrati kërkoi zgjerimin e kalatës së portit të tij. Ky zgjerim e përfshiu hidrovorin ekzistues (sepse më pas u ndërtua një hidrovor i ri), i cili nuk do ti ndoste ujërat e portin privat të tij.

E vetme, por me vetëbesim, e kam kundërshtuar zgjerimin, duke shpjeguar me qetësi se si do të përmbyteshin të gjitha zonat përreth. Mbaj mend që lidershipi i partisë së asaj kohe, si edhe kryetari i grupit parlamentar të asaj kohe, më kërkonin të mos flisja… por unë kisha rrugëtimin tim.

Edhe pse ky veprim më kushtoi karrierën time politike në atë periudhë, jam e qetë dhe sot, më shumë se kurrë, kam një qetësi të brendshme, sigurisht e shoqëruar me trishtimin për fatkeqësitë e familjarëve dhe të biznesëve të qytetit.

Por po e shkruaj tani, sepse kur dëgjoj edhe sot llomotitjet e deputetëve opozitarë, të cilët bëjnë vetëm teatër, sikur janë të nervozuar dhe prapë nuk munden të artikulojnë të vërtetën, dhe as nuk japin zgjidhje, më vjen ndot nga këta bufonë madhështorë. Kapja e tyre me oligarkët, njësoj si e rilindasve, është e vërteta.

Sigurisht, nuk dua të anashkaloj absolutisht Sakon, Kovaçin dhe Klosin me vjedhjen e milionave nga tenderët.

Por nëse opozita nuk kërkon menjëherë vënien në punë të hidrovorit ekzistues, atëherë po vazhdojnë lojën e tyre teatrale, me çmimin e jetës dhe dëmet e qytetarëve.