Kryeministri Rama shfaqet deri më tani i vendosur për të shkuar drejt zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ndërkohë opozita deklaron prerë se nuk do të përfshihet në këtë proces.
Ndërsa të dyja palët duket se qëndrojnë fort në llogoret e veta, PD ka hartuar planin emergjent për atë që selia blu e quan rimëkëmbja e ekonomisë.
Ish-deputetja e Durrësit, Fatbardha Kadiu, ka publikuar mbrëmjen e sotme planin me 6 pika, që synon të përmirësojë parametrat ekonomik dhe financiar dhe t’u garantojë qytetarëve të Shqipërisë rritjen e standartit të jetesës.
Ndërsa Rama rriti varfërinë dhe papunësinë në vend, largoi investimet e huaja, rriti taksat dhe çmimin e karburantit etj, PD premton uljen me 30 lekë të çmimit të karburantit, uljen e çmimit të energjisë për familjarët dhe biznesin, uljen e taksave dhe tatimeve për biznesin e vogël, uljen e tatimit për biznesin e madh, dyfishimin e buxhetit për arsimin e lartë si dhe përkujdesje të shtuar për pensionistët dhe shtresat në nevojë.
Postimin e saj, ish-deputetja Kadiu e shoqëron me dy foto ku pasqyrohen dështimet e qeverisë Rama dhe plani emergjent i hartuar nga PD për zgjidhjen e krizës ekonomike.





