6 përgjigjet e publikuara nga e përditshmja gjermane Bild u kthyen në kryelajm ditën e sotme dhe morën vëmendjen maksimale të politikës dhe opinionit publik.
Në përgjime ishte kapur kreu i bandës së Avdylajve, Astrit Avdyli duke folur me kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, kryebashkiakun e Shijakut, Ardian Kokomani, kandidatin aktual për bashkinë e Shijakut, Elton Arbana, vëllain e deputetit Ilir Ndraxhi etj.
Ish-deputetja Fatbardha Kadiu, e pyetur nga DurrësLajm për këto përgjime deklaron se ato konfirmojnë atë që PD ka denoncuar me kohë, duke e kthyer në kauzë të protestave të saj kombëtare.
“6 përgjimet e fundit tronditën sot të madh e të vogël në Durrës e mbarë vendin. Ato konfirmojnë sesi zgjidhen deputetët e PS-së, sesi bandat gjynjëzojnë shtetin, institucionet dhe zyrtarët”,- thotë Kadiu.
Ndërkohë, përsa i përket ndëshkimit që duhet të marrin të gjithë ata që janë kapur në përgjimet e prokurorisë duke deformuar vullnetin e qytetarëve përmes fenomenit të shitblerjes së votës dhe favorizimit të elementëve kriminale, Kadiu shprehet se duhet të përfundojnë në burg.
“Secili nga zyrtarët që kanë dalë tashmë në përgjime duhet të shkojnë pas hekurave, sepse njerëzit kërkojnë përfaqësues, që i shërbejnë qytetarëve dhe jo krimineleve e injorancës”,– deklaron ish-deputetja.





