Pas Fierit, edhe në Durrës një pronë e sekuestruar e personave me precedentë penalë do të përdoret për qëllime sociale.
Mjediset që përdoreshin për disko në lagjen numër 1 të qytetit tonë, tashmë janë kthyer në kafe dhe në bibliotekë, dhe menaxhohen nga një grup të rinjsh.
Në ceremoninë e inaugurimit ka qënë i pranishëm ambasadori i BE-së në vendin tonë Luigi Soreca, kryetarja e bashkisë Durrës si dhe përfaqësues nga Ministria e Financave dhe asaj të Brendshme.
Ambasadori Soreca në përshëndetjen e tij tha se “Ky inaugurim që po bëjmë sot mund të jetë një hap i vogël në punën që Shqipëria ka për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, por është një rrugë e sigurt dhe unë inkurajoj të gjithë aktorët e Shqipërisë që të vazhdojnë në këtë rrugë, pavarësisht zhgënjimit nga vendimi i muajit tetor”.
KinFolk Coffee Library është një projekt i ri që është mbështetur nga misioni i BE-së në vendin tonë dhe partnerët për ndryshimin dhe zhvillimin.
Kryetarja e bashkisë Valbona Sako, në përshëndetjen e saj, iu bëri thirrje të rinjve që ta frekuentojnë këtë mjedis të ri argëtues dhe të shfrytëzojnë rastin për të lexuar sa më shumë.
Për të ripërdorur pronat e sekuestruara nga persona të lidhur me krimin ndihmon projekti “Cause”, i cili ka si qëllim përdorimin e tyre për çështje sociale. Në kuadër të këtij projekti së shpejti do të veprohet në mënyrë të ngjashme edhe në qytetin e Sarandës.





