(Lokali i Kazazëve ku ndodhi ngjarja)
*24 orë pas daljes nga burgu të kreut të Kavajës Elvis Rroshi, i akuzuar për falsifikim dokumentesh, duket se ka ndezur gjakrat midis kampeve politike. Reagon PD, hesht kampi socialist!
Një përplasje e armë midis eksponentëve të PD-së e PS-së në Kavajë, ka prodhuar tre të plagosur e tension politik midis dy kampeve kryesore.
Saimir Kurti, ish-nënkryetar i PS-së së Kavajës, ish drejtor i Zyrës së Punës, ka shtënë me pistoletë duke lënë të plagosur babë e bir, Eqerem e Irkid Kazazin, 48 e 21 vjeç, dhe i plagosur ka mbetur edhe kalimtari i rastit Dritan Xhixha, 46 vjeç, nga një plumb qorr. Eqerem Kazazi, njihet si eksponent i vjetër i PD-së së Kavajës, ndërsa djali i tij mban postin e kreut të Forumit Rinor të Partisë Demokratike në këtë qytet.
Ngjarja është shënuar rreth orës 13:00 të drekës, në lokalin “Kazazi” në qendër të Kavajës, pranë zyrave të Hipotekës rreth 100 metra larg prej godinës së bashkisë së qytetit. Shkaku i nisjes së debatit ka qenë për motive banale, por sipas PD-së, i frymëzuar politikisht.
(Saimir Kurti)

Ngjarja
Policia e Kavajës ka ndërtuar ngjarjen në bazë të dëshmive të mbi 20 personave të shoqëruar për plagosen e trefishtë.
Burime policore bënë me dije se konflikti nisi si rezultat i parkimit të gabuar të makinës nga ana e bashkëshortes së Saimir Kurtit , pas lokalit të Kazazëve. Rreth orës 12:45 bashkëshortja e Saimir Kurtit ka parkuar makinën në krahun e pasmë të lokalit që mban emrin “Kazazi”. Punonjësit e lokalit i kanë thënë se duhet ta parkonte në një vend tjetër sepse bllokonte rrugën për hyrjen e daljen e automjeteve. Zonjës i kanë propozuar që ta parkonte makinën në parkingun e lokalit, me qëllim që të mos bllokonte rrugën për qarkullim. Zonja ka shkuar në shtëpi dhe i është ankuar bashkëshortit, i cili ka marrë një armë zjarri tip pistoletë, dhe është drejtuar në lokalin e Kazazëve.
Kurti ka shkuar brenda në lokal, dhe është pritur nga Eqeremi, i cili qetësisht e ka ftuar të ulet në tavolinë për të sqaruar bisedën midis burrash. Por në tavolinë ka nisur debat i fortë, dhe burrat janë grushtuar me njëri-tjetrin. Djali 21-vjeçar Irkid Kazazi ka ndërhyrë duke mbrojtur të atin e tij. Burrat kanë dalë nga lokali, i cili ka pasur disa klientë brenda, dhe sherri është zhvendosur në parkingun e lokalit, e më pas, Saimir Kurti ka nxjerrë armën e zjarrit e ka shtënë në drejtim të babë e bir. Por duket se 21-vjeçari ta tentuar të largohet me vrap, dhe deri në daljen e tij në trotuar, rreth 20 metra nga lokali, Kurti ka shtënë sërish duke bërë që një plumb rikoshet të plagoste një kalimtar të rastësishëm që shiste fara luledielli në trotuar. Të shtënat me armë kanë terrorizuar banorët e Kavajës, ndërsa policia që mbërriti në vendngjarje nisi hetimet.
Familjarët e Kazazëve
Të afërmit e familjes Kazazi (që qëndrojnë në spitalin e Kavajës, aty ku po marrin mjekim e janë jashtë rrezikut për jetën, tre të plagosurit) kanë rrëfyer se konflikti nisi midis pronarit të lokalit, Eqerem Kazazit dhe Saimir Kurtit. Dy burrat janë grindur me fjalë e më pas Kurti përdori armën. “Nuk e quajmë politike këtë ngjarje, ishte për motive banale, mos na fusni në kurth”, ishte apeli që dhanë familjarët. Kazazët njihen si një prej fiseve më të mëdhenj e të vjetër në Kavajë, mbështetës të flaktë të PD-së që prej themelimit të saj. Në lokalin ku edhe ndodhi ngjarja janë zhvilluar të gjitha evenimentet e takimet politike të PD-së. Në këtë lokal kanë qenë të gjithë drejtuesit e PD-së e opozitës, që prej Sali Berishës, Jozefina Topallit, Astrit Pstozit, deputetëve e eksponentëve të tjerë, të PD-së, që shkojnë në Kavajë.
PD: Saimir Kurti u ndihmua nga kryetari i PS-së së Kavajës të arratisej pas plagosjes
Rreth orës 16:00 në spital në repartin e kirurgjisë në spitalin e Kavajës, ku gjenden tre të plagosurit, shkuan për vizitë edhe krerë të PD-së nga Tirana. Të plagosurit u vizituan nga Arben Ristani, Gent Strazimiir e Florian Mima. Në emër të PD-së, Ristani deklaroi se e gjithë ngjarja është e frymëzuar politikisht nga bandat e kryeministrit Edi Rama që duan të përskuqin vendin nga Jugu në Veri me gjakun e demokratëve.
Ai i bëri thirrje kryeministrit Rama “të reagojë dhe të tërheqë kriminelët që mbështet e që u ka dhënë pushtet, ndryshe Partia Demokratike dhe qytetarët do të marrin të gjitha masat e mundshme për të garantuar jetën e për të siguruar vetëmbrojtje civile”.
“Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Kavajë dhe dy qytetarë të tjerë janë plagosur nga plumbat e një njeriu që ka ikur nga vendi i ngjarjes me makinë dhe nën shoqërimin e kryetarit të Partisë Socialiste të Kavajës. Për ne ngjarja është shumë e rëndë dhe kjo ngjarje tregon se banda me Ramën në krye nuk po ndalet me mënxyrat që po i shkakton këtij vendi. Banda nuk ndalet duke derdhur gjak shqiptarësh të pafajshëm, duke derdhur gjak demokratësh. Ajo që është e dhimbshme është historia e kësaj partie dhe demokracie shqiptare që kaloi nga gjaku i Josif Budës dhe tani kërkon edhe gjakun e Kid Kazazit. Ngjarja është e dhimbshme dhe ajo që ne mund të theksojmë është që Rama duhet të tërheqë menjëherë kriminelët e tij të tipit Armando Prenga të cilët po skuqin Shqipërinë nga veriu në jug. Duhet t’i tërheqë patjetër, ndryshe shqiptarët dhe Partia Demokratike janë në kushtet e vetëmbrojtjes dhe duhet të marrin të gjitha masat për t’iu përgjigjur bandës në pushtet me të gjitha mjetet e mundshme për t’u ruajtur e për t’u vetëmbrojtur”, tha Ristani.
I pyetur për motivet e ngjarjes në Kavajë, Ristani tha ngjarja ishte e parapërgatitur dhe se autori ka pasur mbrojtjen dhe shoqërimin nga kryetari i PS-së së këtij qyteti. Sekretari i Përgjithshëm tha se situata në Kavajë është tepër e rëndë dhe e frymëzuar politikisht nga kryeministri Rama.
“Ne u njohëm me ngjarjen e cila ka ndodhur mbi bazën e provokimeve banale. Ajo që ka ndodhur është se ai ka shkuar i përgatitur me pistoletë në brez dhe siç u thashë është larguar nën shoqërinë e kryetarit të PS-së së Kavajës dhe në makinë të tij. Ngjarja është e frymëzuar politikisht ashtu siç u thashë nën shembujt e Armando Prengës. Situatën e vlerësojmë shumë të rëndë dhe në rast se nuk ka masa të shpejta nga Rama dhe banda e tij shqiptarët janë në kushtet e mbrojtjes së nevojshme dhe duhet të marrin të gjitha masat për t’u përgjigjur situatës”, tha Ristani.





