Ish-trajneri i Kinës, Li Tie është dënuar me burgim të përjetshëm.
Li, 46 vjeç, u përfshi në një skandal korrupsioni pasi pranoi publikisht se kishte paguar 330,000 sterlina ryshfet për të menaxhuar ekipin kombëtar të Kinës.
Gjithashtu në rrëfimin e tij në televizionin shtetëror CCTV, ish-mesfushori pranoi se kishte marrë pjesë në një skandal të trukimit të ndeshjeve.
“Më vjen shumë keq. Duhet të kisha ndjekur rrugën e duhur. Kishte disa gjëra që në atë kohë ishin praktika të zakonshme në futboll. Duke fituar ‘sukses’ me mjete të tilla të pahijshme, më bëri gjithnjë e më të paduruar dhe më të etur për rezultate të shpejta”, tha Li.
Një nga lojtarët kinezë më të talentuar të gjeneratës së tij do të vuaj dënimin me burgim të përjetshëm. Ai luajti 92 ndeshje për Kinën dhe bëri 33 paraqitje për klubin anglez të Everton gjatë një huazimi nga skuadra e fëmijërisë Liaoning në sezonin 2002-2003.
Më pas klubi i Premier League e bleu përfundimisht kartonin e tij në një marrëveshje transferimi prej 1.2 milionë sterlinash dhe luajti shtatë ndeshje sezonin vijues përpara se të thyente këmbën në detyrën ndërkombëtare në shkurt 2004.
Kjo çoi në probleme serioze me dëmtimet, pavarësisht se nënshkroi një kontratë dyvjeçare me Sheffield United në vitin 2006, Li bëri vetëm një paraqitje për Blades.
Ai u kthye në Kinë në vitin 2008 dhe pasi u tërhoq nga futbolli i luajtur tri vjet më vonë, Li filloi karrierën si trajner, fillimisht si ndihmës te Guangzhou nga 2012 deri në 2015.
Suksesin më të madh si trajner e arriti në vitin 2019, kur mori drejtimin e Kinës dhe qëndroi për dy vite.
Këtë të premten, mediat kineze raportuan se përveç, Li, i cili u dënuar me burgim të përjetshëm, ish-presidenti i Federatës Kineze të Futbollit, Chen Xuyuan, është dënuar me 15 vjet burg, ndërsa zëvendëspresidenti aktual Du Zhaocai thuhet se është dënuar me 13 vjet burg.





