E la futbollin që 26 vjeç, por ai njihet shumë mirë si lojtari që kontribuoi për shpalljen e Elbasanit kampion në sezonin 2005-2006, ndërsa arriti të fitonte edhe Kupën e Shqipërisë me Teutën në vitin 2000.
Bëhet fjalë për ish-mesfushorin e njohur durrsak, Edlir Tetova, i cili për herë të fundit ka luajtur me Partizanin në sezonin 2009- 2010. Dëmtimet e shpeshta bënë që të linte karrierën në kulmin e vet. Megjithatë, ai sërish është pjesë e futbollit, pasi prej gjashtë vjetësh po stërvit një skuadër fëmijësh në Durrës.
“E kam nisur me fëmijë të moshës 7-vjeçare dhe tashmë i njëjti grup merr pjesë në kampionatet rajonale të moshës deri në U-13. Është një punë që e bëj me qejf, për më tepër kur stërvit një moshë kaq delikate. Nuk dua të flas këtu për trofetë që kemi fituar, unë thjesht kam sadisfaksion për atë që mund të prodhojmë. Ka shumë lojtarë të talentuar që po spikasin vit pas viti në zonën rajonale të Durrësit. Mjafton të them që, në të gjitha ndeshjet që kemi bërë në sezonin e fundit, i kemi fituar. Jemi kampionë në fuqi të kampionatit rajonal, por kjo pak rëndësi ka tashmë.”
“Më duhet të falënderoj profesor Edmond Zallën, që më ka ndihmuar në çdo moment. Nisma ka qenë e tij dhe tashmë e vazhdoj unë këtë punë. Pasi kreva të gjitha kurset e kualifikimit si trajner, tashmë jam i lumtur që po marr këtë sadisfaksion kaq të madh nga ky grup i talentuar lojtarësh, të cilët nuk kanë mbushur ende 12 vjeç. Për këtë projekt që kemi nisur, gjej rastin të falënderoj presidentin e Teutës, Edmond Hasanbelliu, i cili më ka mbështetur shumë. Më bëhet qejfi që pas një turneu që bëmë në Itali, revista e njohur në këtë vend, ‘Il Nuovo Calcio’, vlerësoi shumë ekipin që stërvis, duke i kushtuar një hapësirë të konsiderueshme”, tregon Tetova.





