Nga futbolli europian në fushëbetejën e Afganistanit për t’u bërë një nga njerëzit më të dedikuar ndaj Al Kaedës. Kjo është historia e ish-lojtarit tunizian Nizar Trabelsi, i cili ka luajtur në Belgjikë dhe Gjermani, por i braktisi fushat e blerta për të ndjekur bindjet e tij fetare në një prej organizatave më famëkeqe të botës. Në datën 17 dhjetor gjykata do të shqyrtojë kërkesën e ekstradimit të tij drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe pse Gjykata Europiane e ka cilësuar të parregullt arrestimin e tij. Që i vogël u transferua në Belgjikë ku ra në sy për aftësitë e tij. Fillimisht u bashkua me Standard Liegge dhe më pas u zhvendos në Bundesligë me Fortuna Dusseldorf. Kjo ishte edhe pika më e lartë e karrierës së tij pasi rrëzimi drejt jetës së shfrenuar, drogës dhe alkoolit shoqëroi vitet në vazhdim.

Në vitin 2009 kur si futbollist preku fundin, ai u lidh me Al Kaedan duke marrë përsipër role drejtuese për celulat në Europë. Udhëtimet e shpeshta në Lindjen e Mesme e bindën të zhvendosej në Afganistan ku u njoh me Bin Ladenin. Gjithsesi, në vitin 2001, vetëm dy ditë pas sulmeve të 11 shtatorit, me rikthimin në Belgjikë u arrestua nga policia. U akuzua për përgatitjen e planit të sulmit ndaj bazës amerikane Kleine-Brogle dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie. Në 2013-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan ekstradimin e tij pasi përtej Atlantikut është dënuar me burgim të përjetshëm.

Të enjten, Trabelsi mund të dëgjojë vërshëllimën e trefishtë të ndeshjes së tij më të gjatë që u luajt në karrierën e tij të shkurtër. Gjykata e Brukselit ka në dorë të ardhmen e një njeriu që nuk zgjodhi futbollin për ta bërë botën më paqësore.