Ish-gardisti në kohën e protestës së 21 Janarit dhe aktualisht deputet i PS foli për herë të parë në Parlament në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit dhe të ashtuquajturin “Grup i Zjarrit”.

Ai mohoi ekzistencën e kësaj strukture, duke e cilësuar si shpikje.

“Keni vite që merreni me familjen time. Grupi i Zjarrit nuk ka ekzistuar kurrë. Ju të opozitës jeni grup i zjarrit. Unë kam dhënë shpjegimet e mia dhe nuk i heq asnjë presje,” tha ish-gardisti, sot deputet socialist.

Malaj shtoi se ka qenë komandant i Seksionit 4 dhe ka mbajtur përgjegjësi për strukturën e tij, por asnjë nga efektivët nën drejtimin e tij nuk ka pasur lidhje me ngjarjet e 21 Janarit.

“E keqja është që e baltosën Gardën. E kam për nder të kem qenë gardist sepse e kam kryer punën time me përkushtim. Në qarkun Dibër morët mbi 15 mijë shuplaka. Atë vjedhjen e votës tregoja të tuve, turpit të Matit dhe turpit të Dibrës, që gjithë jetën janë marrë me maskarada. Lërjani 21 Janarin drejtësisë dhe ta shohim sesi do të jetë e vërteta,” përfundoi deputeti.