Çdo ditë, qindra turistëve që vizitojnë sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Durrësit nuk mund t’u shpëtojë nga vëmendja degradimi i ish-hotel Vollgës.

Deri në fillim të viteve ’90 ishte një nga krenaritë e qytetit, por bastisja dhe “beteja” për pronësinë e saj e ka shndërruar godinën 3-katëshe në turpin e qytetit bregdetar.

Jashtë kamerës, guidat turistike rrëfejnë se pyetjet që u bëhen më shpesh nga të huajt lidhen me kureshtjen për të mësuar më shumë mbi atë çfarë përfaqëson kjo godinë dhe pse nuk është ndërhyrë për ta restauruar.

Shqetësimi qytetar për degradimin e ish-hotel Vollgës u ngrit edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

“Gjykoj se ka nevojë për investim. Mendoj se Këshilli Bashkiak duhet ta miratojë ndërhyrjen me një baner siç bëhet edhe në vendet e tjera të botës, psh një pamje siç ka qenë dikur hoteli.Pavarësisht se është një pronë private, sipërfaqja dhe fasada është e të gjithëve ne”,- deklaroi këshilltari demokrat Joni Myshketa.

Për shkak të problemeve me pronësinë, ndërhyrja e autoriteteve lokale për mbulimin e fasadës së godinës ikonike është mision i pamundur.

“Kemi parë mundësinë e investimit me fondet e bashkisë, por duke qenë një pronë private investimi mund të ekspozohet ndaj riskut. Në rast se ne bëjmë një investim dhe e veshim fasadën e atij objekti, ne nuk dimë çfarë do të ndodhë me të. Investitorët mund të kenë plan ta zhvillojnë dhe kjo gjë mund të ndodhë brenda një kohe të shkurtër, pasi ne të kemi bërë investimin. Ne objektiv kryesor kemi qëndrueshmërinë e objekteve që bëhen me fondet publike”,- tha në mbledhje kryebashkiakja Emiriana Sako.

Në të njëjtën kohë, ajo pohoi se u është kërkuar donatorëve të interesuar të mbulojnë fasadën e ndërtesës me banera reklamues.

“U kemi kërkuar donatorëve të ndryshëm në rast se mund të bashkëpunojnë me bashkinë e Durrësit për të vendosur promocionin e produkteve të tyre për ta mbuluar si objekt”.

E ndërsa Durrësi pritet të regjistrojë shifra rekord turistësh këtë sezon veror, shumica e tyre do të marrin me vete edhe këtë imazh aspak dinjitoz të atij që vitet e fundit është shndërruar në kryeqytetin shqiptar të turizmit.

M.B.